Erdogan dhe Kilicdaroglu shkojnë në balotazh

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili ka udhëhequr Turqinë për 20 vjet, do të përballet në rundin e balotazhit me kundërkandidatin e tij opozitar, Kemal Kilicdaroglu.

Votimet për zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 28 maj, pasi në rundin e parë asnjëri nga kandidatët nuk fitoi mbi 50 për qind të votave.

Sipas Këshillit Suprem Zgjedhor, Erdogan në rundin e parë të zgjedhjeve fitoi 49.51 për qind të votave, ndërkaq Kilicdaroglu 44.88 për qind.

Rundi i balotazhit do të përcaktojë nëse shteti i Turqisë, aleat i NATO-s, mbetet nën kontrollin e Erdoganit ose rifillon një rrugëtim më demokratik, të premtuar nga lideri i opozitës, Kemal Kilicdaroglu.

Para publikimit të rezultateve nga autoritetet zgjedhore, Erdogan iu drejtua mbështetësve të tij në Ankara. Ai tha ende mund të fitonte, porse do të respektonte vendimin e qytetarëve nëse gara shkon drejt një balotazhi pas dy javësh.

“Ne ende nuk e dimë nëse zgjedhjet përfunduan në rundin e parë…Nëse kombi ynë ka zgjedhur për një rund të dytë, kjo është gjithashtu e mirëpritur”, tha Erdogan mëngjesin e së hënës, duke vënë në dukje se është duke vazhduar numërimi edhe i votave të qytetarëve turq që jetojnë jashtë vendit.

Ai mblodhi 60 për qind të votave të diasporës në vitin 2018.

Turqia më 14 maj mbajti zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Këto zgjedhje u përqendruan kryesisht në çështjet e brendshme si ekonomia, të drejtat civile dhe tërmeti i muajit shkurt që la të vdekur më shumë se 50.000 njerëz.

“Ne do të fitojmë absolutisht rundin e dytë… dhe do të sjellim demokracinë”, tha Kilicdaroglu, 74 vjeç, kandidat i një aleance prej gjashtë partish, duke argumentuar se Erdogani kishte humbur besimin e një kombi që tani kërkon ndryshim.

Më shumë se 64 milionë njerëz, përfshirë votuesit jashtë shtetit, kishin të drejtë vote në zgjedhjet e 14 majit dhe gati 89 për qind e tyre votuan.

Pjesëmarrja e votuesve në Turqi është tradicionalisht e madhe, pavarësisht se qeveria ka shtypur lirinë e shprehjes dhe tubimet përgjatë viteve, posaçërisht që nga një përpjekje për grusht shteti në vitin 2016.

Në nivel ndërkombëtar, këto zgjedhe u panë si një test i aftësisë së një opozite të bashkuar për të larguar një lider që ka përqendruar pothuajse të gjitha fuqitë shtetërore në duart e tij, dhe ka punuar për të ushtuar më shumë ndikim në skenën ndërkombëtare./REL