Ilustrimi: Granit Mavriqi / KALLXO.com

“Aterrimi” i bujshëm dhe “fluturimi” i pavërejtshëm

Shpend Ahmeti e dorëzoi detyrën e kryetarit të Komunës së Prishtinës pas tetë vitesh në karrigen e nxehtë. Erdhi si njeri që mund t’i ofronte kryeqytetit shpresën e shumëpritur por u largua pa lënë ndonjë gjurmë.

Kandidatura e Ahmetit në vitin 2013 konsiderohej si diçka e re, një djalë i ri i edukuar në një nga universitetet më të mira në botë (‘Harvard’), te shumë qytetarë kishte ngjallur shpresën e një ndryshimi rrënjësor të qytetit.

Atëkohë Shpend Ahmeti kishte qenë duke ushtruar detyrën e profesorit në Universitetin Amerikan të Kosovës (AUK) para se të anëtarësohej në Lëvizjen Vetëvendosje.

Në tetor të vitit 2013 Shpend Ahmeti mori qeverisjen e Prishtinës si kryetari i parë jashtë partisë së LDK-së që kishte qeverisur që nga paslufta.

Vetëvendosje në atë kohë nuk kishte arritur që të merrte numrin më të  madh të ulëseve në Kuvendin Komunal ku printe LDK-ja, kjo gjë edhe i kishte vështirësuar punën për të kaluar shumë vendime.

Para marrjes së pushtetit, Ahmeti kishte dhënë shumë premtime për qeverisje të pastër e pa korrupsion. Madje ai kishte dërguar në prokurori shumë lëndë të dyshimta.

Nga udhëtimi me autobus në atë më veturë

Një nga vendimet e para që mori Ahmeti pas ardhjes në pushtet ishte shitja e “Audi Q7” të ish-kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa. 

Lidhur më këtë, Ahmeti deklaroi se nuk kishte nevojë për vozitës e truproje dhe se do udhëtonte bashkë me qytetarët.

Pak muaj pasi mori qeverisjen, Ahmeti nuk vazhdoi të udhëtonte me autobus të trafikut urban, pasi kishte marrë kërcënime që nuk e bënin të ndihej i sigurt të udhëtonte në atë formë.

Kërcënimet erdhën pasi Ahmeti kishte dërguar në prokurori disa lëndë të inspektimeve të ndërtimeve.

Si vendimet më të mëdha të mandatit të parë ishin ‘kungjat’ në trotuare, e premtimi për blerje të autobusëve.

Procsi i blerjes së këtyre autobusëve ishte zvarritur për disa vite, pasi këta të fundit ishin blerë me kredi të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe duhej aprovim edhe në Kuvendin e Kosovës.

Një projekt tjetër që është përfolur shumë është ai i shujtave për fëmijë të shkollave fillore.

Ndalimi i ndërtimeve të larta

Shpend Ahmeti erdhi në pushtet me premtimin se do ndalte ndëritmet pa leje e ato të larta që po shkatërronin Prishtinën, por në mandatin e dytë qasja e  tij për këtë ide ndryshoi.

Ahmeti konsideronte se nëse do i ndal të gjitha ndërtimet do përfundojë i vrarë ose në burg.

Këto deklarata Ahmeti i kishte dhënë në një përkujtim të arkitetit të vrarë në vitin 2000, Rexhep Luci, drejtues i planifikimit urban në periudhën e pasluftës.

“Duhet me bo moratorium. Me blloku krejt ndërtimin në qytet në Prishtinë edhe me drejtu krejt kah Prishtina e Re. E nëse e bëj këtë: ose do të jem i vrarë, ose në burg”, ka qenë fjala e të parit të derisotëm të Prishtinës.

Mandati i parë në bazë të numrit të premtimeve shkoi mirë edhe pse shpesh fajësonte qeverinë që nuk po i votonte projektet në kohë.

Ndarja e bujshme nga LVV

Mandatin e dytë, Ahmeti e mori pas një gare të ngushtë në balotazh me Arban Abrashin e LDK-së.

Atë kohë Lëvizja Vetëvendosje arriti që të marrë edhe numrin më të madh të asamblistëve, 17.

Në ditën e parë që kryetari Ahmeti mori detyrën për mandatin e dytë, asamblistët e LVV-së kishin vënë flamuj të Shqipërisë nëpër ulëset e tyre, madje kishin dalë jashtë sallës gjatë kohës kur u intonua himni i shtetit të Kosovës.

Por, numri prej 17 përfaqësuesve në Kuvendin Komunal nuk zgjati shumë për Lëvizjen Vetëvendosje.

Problemet e brendshme të kësaj partie në fillim të 2018, e që rezultuan me largimin e njëpasnjëshëm të disa prej zyrtarëve më të lartë të partisë, preku edhe Prishtinën. Shpend Ahmeti së bashku me 9 asamblistë të tjerë u larguan nga LVV duke krijuar grupin e asamblistëve të PSD-së.

Nga 17 prej 50 ulëseve në Kuvendin Komunal që fillimisht ishin të LVV-së, kjo e fundit mbeti me vetëm 7, meqë 9 prej tyre kaluan në PSD, kurse një tjetër mbeti i pavarur.

Largimi i Shpend Ahmetit nga LVV u përcoll në atë kohë me shumë diskutime. Madje LVV kërkonte dorëheqjen e tij, duke aluduar se garën për Prishtinën e kishte fituar si pjesë e partisë së tyre.

Disa drejtorë të Komunës që kishin vazhduar të mbesin në LVV u larguan pas pak kohe.

Mes tyre edhe ish-kandidati për kryetar të Prishtinës nga LVV, Arben Vitia, i cili mbante pozitën e drejtorit të Shëndetësisë, Nora Kelmendi nga drejtoria e Kadastrit dhe Yll Rugova nga pozita e drejtorit të Kulturës.

Mandati pasiv i Shpend Ahmetit

Dalja nga Vetëvensoja Ahmetit i kishte kushtuar edhe në reputacion te qytetarët e Prishtinës.

Ahmeti në mandatin e parë përkundër faktit që nuk kishte shumicën e numrave në Asamble, i përcillte thuajse të gjitha seancat plenare të Kuvendit Komunal, e në mandatin e dytë kjo gjë ndryshoi. Ahmeti paraqitej më shumë kur  kishte votim të ndonjë pike më të rëndësishme e që nevojiteshin sqarime.

E përplasjet me asamblistë të LVV-së në mandatin e dytë tashmë ishin bërë normale për të parin e Prishtinës.

Dy vitet e para të mandatit të dytë u përcollën me shumë zvarritje të projekteve, madje kyqja e tij në dialogun e Kosovës me  Serbinë në vitin 2019 i bëri qytetarët edhe më të frustruar. Ata po kërkonin nga Ahmeti që të fokusohej në probleme të qytetit ose të jepte dorëheqje.

Por, aventura e tij me dialogun nuk pati jetë të gjatë, kjo për shkak të rrëzimit të Qeverisë në vitin 2019.

Dy vitet e fundit të mandatit të dytë kishin më shumë fokus menaxhimin me pandeminë COVID-19.

Pas zhgënjimeve të mëdha të qytetarëve, Ahmeti mori lëvdata për mënyrën si e trajtoi krizën me pandemi.

Mandati i dytë në qytet për Ahmetin kaloi më qetë edhe sa i përket ndonjë skandali, përpos mospajtimeve me asamblistë të  LVV-së që fokus kishin ndërmarrjet publike.

Largimi në heshtje i Shpend Ahmetit

Pas dy mandatesh radhazi në qeverisje të kryeqytetit, Shpend Ahmeti kishte vendosur të mos synojë më këtë pozitë.

Kështu bëri të ditur Ahmeti që nga maujt e parë të këtij viti, ku fillimisht u shpreh se nuk e dinte nëse do kandidojë. Por me publikimin e kandidatit të LDK-së, Përparim Rama dhe spekulimeve se LVV do kandidonte Arben VIitnë, Ahmeti veçse e bëri të qartë se nuk do i hyjë më kësaj gare.

Në shumë debate televizive Ahmeti potenconte se gara në Prishtinë është më e qetë për faktin se ai nuk është pjesë e saj.

Shpend Ahmeti publikisht nuk doli në përkrahje të ndonjërit nga kandidatët për kryetar, por shprehej se do ishte i gatshëm t’u ndihmonte për çfarëdo që do kenë nevojë.

Në ceremoninë e dorëzimit të detyrës, Ahmeti i la Ramës një mesazh për të cilin ai ka vuajtur më së shumti gjatë tetë viteve në detyrë.

“Në Asamble me u mundu me i bashku sa më shumë e jo me kriju ndasi. E di që njerëzit i kanë partitë politike, mundohen me i paraqitë interesat e veta, por uroj dhe shpresoj që mundohesh me i bashku sa më shumë”.

“Mezi s’po pres me m’shkru dikush m’u anku “s’po m’bon kanalizimi” e me i thanë “s’jam më”.

“Kur kemi ardhë këtu kemi mendu që ne i dimë krejt, nuk din tjetër askush asgjë, por me kohë e sheh që gjithsecili ka diçka me kontribu”, u shpreh Ahmeti.

“Falemnderit që po e merr zyrën, po ma hjek një gajle t’madhe”

Pas përfundimit të kësaj procedure, Ahmeti përmes rrjeteve sociale u shpreh falënderues për mbështetjen dhe kërkoi nga qytetarët t’ia bëjnë hallall hidhërimet.

“Falemnderit qyteti ma i mirë në botë. Nder të isha në shërbimin tuaj! Flm për mbështetjen e kritikën. Ma bëni hallall për idhnimet. Qëllimet kane qenë dhe vazhdojnë të jenë gjithmonë të mira. Kam hy me buzëqeshje dhe po dal me buzëqeshje. Love you Prishtinë! Over and out!”, shkroi Ahmeti.

Shpend Ahmeti nuk e ka bërë të ditur profesionin që do vazhdojë të ushtrojë në të ardhmen, por shumë herë ka deklaruar se ka marrë edhe oferta ndërkombëtare.