Veseli e Quan Absurd Bojkotin e ‘Listës Serbe’

Kryetari Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot minatorët e ndërmarrjes Trepça për të nënshkruar në prani të tyre ligjin e miratuar për këtë ndërmarrje para disa ditësh.

Veseli adresoi veprimet e Grupit Parlamentar të Listës Serbe që kanë pezulluar aktivitetet e tyre në institucionet kosovare pas miratimit të këtij ligjit, gjë që ai e cilësoi si veprim emocional.

“Unë shpresoj shumë që do të kemi mirëkuptim të kolegëve tanë nga pjesa veriore, kolegëve serbë. Trepça i hap një perspektivë vetë gjigandit të Trepçës, nuk ka konotacion etnik, qëllimi është tërësisht ekonomik.  Është e dhimbshme dhe absurde fakti i një reagimi të tillë i cili është tërësisht emocional, politik dhe i pabazuar ekonomikisht”, deklaroi Veseli.

Shyqyri Kelmendi, Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, u zotua se punëtorët e kësaj ndërmarrje tani do të marrin përgjegjësi për këtë ndërmarrje që sipas tij është aset nacional.

“Me të vërtetë është një moment i reflektimit që ky aset nacional të reflektojë interes për vendin dhe është falënderim i përzemërt për këtë që na u dha mundësia që ne me punën dhe angazhimin e punëtorëve dhe minatorëve të reflektojmë në shkallë vendi si interes ekonomik”, tha Kelmendi.

Ndërkaq, drejtori i ndërmarrjes Trepça, Ahmet Tmava u shpreh falënderues për miratimin e këtij ligji që sipas tij hap rrugë për zhvillim ekonomik të vendit.

“Këtë ligj po e presim qe 16 vjet, më në fund u realizua dëshira dhe kërkesa jonë. Besoj dhe mendoj se është hapur një rrugë për perspektivë të gjigandit Trepça  dhe për gjithë Kosovën”, tha Tmava.

Përmbajtjen e Projektligjit për Trepçën i cili u miratua në një seancë të Kuvendit të Kosovës që zgjati deri pas mesnatës mund ta gjeni në KALLXO.com

Ekskluzive: Përmbajtja e Ligjit për Trepçën