Policia duke siguruar perimetrin para objektit te QPS ne Ferizaj, Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com

Punëtorët e kërcënuar e hapësirat sociale të pambrojtura 

Të thirrur për të trajtuar situatat më të vështira përfshirë këtu edhe të rikthyerit nga zonat e luftës në Siri dhe Irak zyrtarët e Qendrave për Punë Sociale janë të ekspozuar ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve.

Një hulumtim i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) zbardhë se shumica nga zyrtarët e qendrave për punë sociale janë ballafaquar me kërcënime si dhe kanë hapur raste në polici për kërcënimet që janë bërë ndaj tyre ndërsa siguria e qendrave është e brishtë.

Në hyrjet e tyre nuk ka paisje për të identifikuar armët ndërsa një pjesë nuk mbajnë as kamera të sigurisë

Në fillim të prillit vendi u trondit nga incidenti që ndodhi në  qendrën për pune sociale në Ferizaj.

Më 12.04.2024, Erona Cokli 21 vjeçare u vra e vëllai i saj u plagos në kohën kur po takonin të dyshuarin Valon Aliu. 

Qendra nuk kishte asnjë paisje për të detektuar se personi po hynte me armë.

KALLXO.com konfirmon se paisje të tilla nuk janë të vendosura në 18 qendrat për punë sociale të shtrira në 18 komuna. Të dhënat janë siguruar pas kërkesave të KALLXO.com drejtuar 22 komunave prej të cilave 18 kanë kthyer përgjigje. 

“Në Qendrën për Punë Sociale Ferizaj ka sigurim fizik, nuk ka pasur ndonjëherë pajisje të sigurisë si detektor brenda QPS”- thotë drejtoresha e qendrës ku ndodhi vrajsa Adelina Rexhepi për KALLXO.com. 

Në Komunën e Lipjanit, Qendra për Punë Sociale nuk ka pasur asnjëherë detektor por kanë pasur sigurim fizik i cili nuk ka poseduar asnjë mjet-element mbrojtës apo parandalues. 

Madje në çështjen e vlerësimit të rrezikut, komuna thotë se asnjëherë nuk është bërë një vlerësim i tillë.

“Është hera e parë që interesohet mediumi i Juaj, kurse asnjëherë nuk është vlerësuar rrezikëshmëria e zyrtarëve të QPS-së gjatë punës të cilën ata e bëjnë”- thonë përgjigjet e Komunës së Lipjanit për KALLXO.com. 

Ata konfirmojnë se zyrtarët kanë pasur kërcënime të cilat janë raportuar në polici. 

Në Mitrovicë kanë arritur që përmes një kompanie të sigurojnë sigurim fizik por nuk kanë ndonjë pajisje që detekton mjete që futen brenda Qendrës për Punë Sociale. 

Në këtë qendër ngjashëm si dy paraprake nuk është kërkuar që të bëhet ndonjëherë ndonjë vlerësim i rrezikut ndërsa shtojnë se nuk kanë raste që kanë evidentuar kërcënime të rënda ndaj stafit. 

“Ka pasur raste te kërcënimit por falë kujdesit – maturisë së zyrtarëve dhe intervenimit të institucioneve për zbatimin e ligjit janë parandaluar raste të tilla”- thuhet në përgjigjen e drejtorit të Qendrës për Punë sociale në Mitrovicë, Gani Mustafa për KALLXO.com. 

Përvec vendosjes së kamerave të sigurisë drejtori Mustafa tregon edhe për masat e tjera të cilat ka ndërmarrë pas rastit në Ferizaj. 

Ai thotë se menjëherë është mbajtur takim me stafin e QPS-së për shtim të vigjilencës dhe kujdesit gjatë ofrimit të shpërbimeve , është bërë kërkesë që nga kompania e sigurimit që rojën nën menaxhimin e tyre me detyra dhe përgjegjësi në QPS Mitrovicë ,ta pajisin me dedektor për identifikimin e armeve të zjarrit dhe mjeteve të ftohta ( ndaluara ) me theks të veçantë kategoria e dhunës në familje. 

Gjithashtu kjo qendër ka kërkuar edhe nga Policia që të ofroj prezencën e një zyrtari policor në QPS dhe atë duke filluar  me të njëjtin orar që punojnë edhe stafi i qendrës. 

Në Kamenicë, Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Eurona Hoda ka thënë se brenda QPS-së në këtë komunë nuk ka as pajisje detektuese e as edhe sigurim fizik por që ndërvite kanë të evidentuar raste të kërcënimeve.

“Brenda QPS-së në Kamenicë, fatmirësisht nuk ka pasur ndonjë rast kërcënimi me armë zjarri, por kemi pasur njëherë një rast kërcënimi me armë të ftoftë nga një person me probleme mendore, kundrejt një zyrtareje të ndihmave sociale”- thotë Hoda për KALLXO.com. 

Po ashtu edhe një zyrtare është sulmuar fizikisht e që rasti më pas është dërguar edhe në organet e rendit dhe drejtësisë. 

“Në përgjithësi persona potencial që munden me shkaktu probleme dhe incidente brenda QPS, janë palët e pakënaqura me vendimet e sektorit të ndihmave sociale, bashkëshortët e ndarë dhe me raporte të çrregulluara, sidomos sa i përket çështjes së besimit të fëmijëve dhe kontaktimit me fëmijë, rastet e dhunës në familje, personat me probleme të shëndetit mendor, përdoruesit e substancave narkotike etj”- thotë Hoda tutje në përgjigje ndaj KALLXO.com. 

Ajo thotë se nuk është ndërmarrë ndonjë masë shtesë pas rastit në Ferizaj. 

Ngjashëm është edhe në Rahovec, pa sigurim fizik e pa pajisje apo mjete të tjera të sigurisë. 

“Komuna e Rahovecit është në proces të lidhjes së një kontrate për sigurim fizik dhe pas lidhjes së kontratës do të shohim mundësinë e një sigurimi fizik për QPS-në, objekti është i paisur me kamera të sigurisë. Natyra e punës së QPS-së është e atillë që mund të ketë kërcënime e acarime të ndryshme, por nuk ka pasur asnjëherë kanosje me armë. Atëherë kur është vlerësuar një rrezik potencial, kemi kërkuar ndihmën e policisë”- thuhet në përgjigjet e Komunës së Rahovecit për KALLXO.com. 

Nga kjo komunë thonë se ka  raste të shpeshta të kërcënimit ndaj punëtorëve socialë nga palët. 

“Mungesa e sigurimit fizik mund të ndikojë që palët ndihen më të lirë të kërcënojnë dhe t’u bëjnë presion zyrtarëve të QPS- së”- thuhet tutje në përgjigje. 

Edhe në këtë komunë ngjashëm sikurse të tjerat ndër rastet me potencial të lartë të shkaktimit të incidenteve janë rastet që ndërlidhen fillimisht me dhunë në familje. 

“Është rritur niveli i kujdesit më shumë. Secili rast vlerësohet veçanërisht për shkallën e  rrezikut nga zyrtari kompetent dhe nëse zyrtari konstaton që rasti në trajtim paraqet rrezik potencial, njofton me kohë Stacionin Policor në Rahovec”- tregon komuna veprimet pas ngjarjes së vrasjes së 21 vjeçares brenda QPS në Ferizaj. 

Në Suhareke as nuk ka sigurim e as pajisje të sigurisë, nuk është kërku ndonjëherë ndonjë vlerësim i rrezikut për punëtorët ndërsa tregojnë se ka pasur raste apo incidente të vogla që janë menaxhuar kryesisht nga drejtori apo shefi i QPS-së. 

“Masat qe jane nderrmarr nga ana e QPS-së janë: cdo menaxher i rastit i cili e vlerson se mund te paraqet problem nje individ i caktuar ose gjat kontaktimit prind femije mund te ket ndonje incident Udheheqesi e lajmron Policin paraprakisht dhe Policia i pergjigjet fteses dhe qendron brenda objektit deri te perfundon kontakti prind-femije”- thuhet në përgjigjen e Komunës së Suharekës. 

Ngjashëm edhe në Obiliq është situata ndërsa tregojnë për rastet kur stafi ishte kërcënuar. 

“Po kemi pasur raste kur punëtorët janë kërcënuar, janë njoftuar organet e sigurisë dhe është marrë deklarata nga ana e policisë. Kemi bërë kërkesa për blerjen e paisjeve (detektor) si dhe sigurimin fizik”- thuhet në përgjigjet e Komunës së Obiliqit për KALLXO.com. 

Në Pejë, Qendra per Pune Sociale aktualisht posedon vetem nje siguri ndërsa posedon Rregulloren e Brendshme për Menaxhimin e Rrezikut të Komunës së Pejës , dhe aktualisht eshte ne fazen e vleresimeve te rreziqeve prane seciles drejtori. 

Për incidente thonë se kanë qenë me rrezikshmëri të ulët dhe të cilat janë menaxhuar nga vetë stafi i QPS-së. 

“Asociacioni i Qendrave per Pune Sociale ka dal me disa rekomandime ne lidhje me rritjen e nivelit te sigurise ne QPS”- thuhet në përgjigjen e Komunës së Pejës. 

 Komuna e Hanit të Elezit thotë se nuk kanë ndonjë masë të sigurisë por as raste nuk është se kanë evidentuar që mund të kishte potencial rreziku. 

Qendra për Punë Sociale në Istog për KALLXO.com thotë se asnjëherë nuk ka pasur pajisje të sigurisë, por vetëm roje sigurimi.

“Në të kaluarën nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është kërkuar sigurimi. Nuk kemi të evidentuara raste të vrasjeve dhe perdorim të armës, perveq se sulme fizike. Ka pasur kërcenime por jo të natyrës së rëndë dhe aktualisht nuk kemi sigurim fizik”- thuhet në përgjigjet e Komunës së Istogut për KALLXO.com. 

Agnesa Vokshi, Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Deçan, ka thënë për KALLXO.com se janë duke punuar për të trajtuar aspektin e sigurisë brenda Qendrës për Punë Sociale në këtë komunë. 

“Po është e zakonshme që qendrat për punë sociale të kryejn vleresime te rrezikut. Këto vleresime te rrezikut janë të rëndesishme për indentifikimin e faktorëve që mund të shkaktojnë situata të veshtira ose emergjente dhe për të zhvilluar një plan për menaxhim të këtyre rreziqeve”- thotë ajo. 

Ajo thotë se momentalisht nuk ka sigurim fizik në qëndren për punë sociale dhe janë duke punuar për të pasur sigurim fizik pranë Qendrës.

“Personat potencial që mund te krijojnë incidente brenda qendrave për punë sociale , mund te përfshijnë individë të cilët kanë probleme shëndetësore, krizë financiare ose sociale, përsonat me përvoje të kaluar të abuzimit, personat që kane pasur përvojë në sistemin e drejtësisë etj”- thuhet në përgjigjet e Vokshit për KALLXO.com. 

Në Podujevë, në bazë të përgjigjeve qendra është e pajisur me kamera të sigurisë ndërsa është kërkuar edhe të bëhet një vlerësim i rrezikut për stafin dhe punëtorët. 

Komuna në përgjigje përmend se ka qenë një rast sulmi me shkop druri. 

“Po ka pasur nje here nje sulm me shkop druri si dhe nje rrahje te nje zyrtari te asistences sociale”- thuhet në përgjigjet e komunës për KALLXO.com.

Kjo komunë tregon edhe hapat që ka ndërmarrë pas rastit në Ferizaj. 

“Qendra per pune Sociale ne Podujeve e ka bere vleresimin e rastit qe ka ndodhur ne qendren aktuale ne Ferizaj dhe me qellim te evidentimit te rasteve te tilla potenciale qe mund te ndodhin ne bashkepunim me Drejtorine e Shendetesise e Mireqenies Sociale ka realizuar nje takim me Drejtorine e Statcionit Policor per mundesine e bashkepunimit me saktesisht arritjen e marreveshjes qe nje polic te qendroje gjate orarit te punes 08:00-16:00 me qellim sigurimin e zyrtareve te kesaj qendre si dhe paleve te cilat mund t’i ekspozohen ndonje rreziku potencial”- thuhet në përgjigjet e komunës. 

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Prishtinë, Adelina Sahiti ka thënë për KALLXO.com se në tri njësi që ka QPS ka sigurim të vendosur që kur e njëjta ka marrë mandatin. 

“Raste të lajmëruar që dikush nga kolegët apo palët është kërcënuar me armë nuk kemi e kërcënime të tjera verbale ka pasur e vazhdon të ketë gjë e cila na shqetëson në vazhdimësi si menaxhment”- thote Sahiti për KALLXO.com. 

Ajo shton se pajisja me detektor për të ofruar të paktën siguri tashmë është në proces të funksionalizimit. 

Situata me mungesë të personelit të sigurisë është e ngjashme edhe në Prizren. 

“Gjatë takimeve me institucione të ndryshme qoftë ministra apo komuna janë ngritur shqetësimet rreth problematikave te sigurisë dhe rrezikut, si te punonjëseve ashtu dhe të mirësive të shërbimeve por që zyrtarisht nuk është marr asnjë mase”- thuhet në përgjigjet e Komunës së Prizrenit për KALLXO.com. 

Kjo komunë tregon edhe se si kanë menaxhuar rastet e kërcënimeve ndaj stafit. 

“Duke marr parasyshë se në QPS ofrohen shërbime me ndjeshmëri të lart ka pas herë pas here  reagime madje edhe kërcënime te pakontrolluar dhe emocionale, por pas ëshë punuar me palën dhe I është shpjeguar situate palët kanë bashkëpunuar dhe e kanë zgjidh problemin. Por qe nuk ka pas ndonjë rast kur eshët dashtë të kërkohet mbështetje për mbrojtjen e punonjësve”- thuhet në përgjigjet e komunës. 

Në Prizren tregojnë për masat që janë ndërmarrë tutje nga 12 prilli. 

“Êshte rrit vigjilenca por qe masa ekstreme nuk jan ndërmarr, pas ne e dimë qe klientët që marrin shërbime në QPS janë me ndjeshmëri te lart  dhe punonjësit punojnë me shumë profesionalizëm”- thuhet në përgjigje. 

Në Vushtrri, zëdhënësja e komunës, Mirjeta Duraku ka thënë se në Qendrën për Punë Sociale, nuk kanë përdorur pajisje të sigurisë si detektorë.

“Është e vërtetë se punonjësit tanë kanë hasur në situata kërcënuese. Megjithatë, kemi vepruar menjëherë për të adresuar këto kërcënime, duke informuar autoritetet për ndihmë dhe mbështetje shtesë”- thotë Duraku për KALLXO.com.  

Drejtori i QPS në Kaçanik, Xhelal Gashi ka thënë për KALLXO.com se kanë pasur raste kur punëtorët janë ballafaquar verbalisht me palë për shkak të problemeve të tyre ndërsa thotë se nuk kanë asnjë lloj mjeti të sigurisë apo edhe sigurim fizik në qendrën që udhëheq. 

Nga Kaçaniku, në Fushë Kosovë, është situata e ngjashme. 

Në këtë komunë në përgjigjet për KALLXO.com thonë se kanë të evidentuara raste të kërcënimeve dhe sulmeve fizike ndaj stafit. 

Pas ngjarjes në Ferizaj, të vrasjes së 21 vjeçares brenda Qendrës për Punë Sociale, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu më 16.04.2024, kishte kërkuar edhe vendosjen e detektorëve të sigurisë nëpër Qendra për Punë Sociale.