Trepça, Foto: KALLXO.com

Telashe me pagat, minatorët e ‘Trepçës’ arrijnë një marrëveshje dhe i kthehen punës pas protestës

Minatorët e ndërrimit të parë të ndërmarrjes “Trepça” kanë protestuar më 11.04.2024 për shkak të vonesave të pagave dhe mosrealizimin e pagës së plotë.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, kryetari i Sindikatës së punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Januzi.

“Kanë protestu nja dy orë për shkak mosrealizimit të pagës të plotë dhe pastaj janë kthy në vendin e punës. Deri sot është realizu vetëm 40% e pagës, presim që sot pasdite ose deri nesër më së largu me u realizu  edhe 30%. Ndërsa pjesa tjetër është premtuar nga menaxhmenti që deri javën e ardhshme do të realizohet”- ka thënë Januzi për KALLXO.com.

E këtë e pohon edhe Gani Osmani, minator i Trepçës i cili thotë se janë në pritje të realizimit të premtimit nga kryeshefi ekzekutiv, Bashkim Kurti.

“E kemi ba një marrëveshje dhe rreth orës 11:00 kemi hy në minierë dhe ia kemi nis punës. Nuk u realizu paga 100%, por veç me pjesë. Herë 40%, herë 70%. Natën e Bajramit, na i kanë qit 40% të pagës … Mirëpo, sot kryeshefi ka thanë se 30% do ta realizoj brenda dite. Kurse brenda një jave kanë thanë që duhet me u realizu paga 100%”- ka thënë Osmani.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe kryeshefin ekzekutiv, Bashkim Kurti. Ai ka pohuar vonesat në paga dhe ka konfirmuar se deri javën e ardhshme do të realizohen të plota.

“Po ka pasë telashe në mëngjes por jemi dakordu me vazhdu punën- na me i kry obligimet tona e ata të vetat dhe kaq. 40% e pagës iu ka dal sot, se për shkak të festës nuk ka mujt me iu dalë të hënën se janë ekzekutuar pak vonë. Ato iu kanë dal sot në mëngjes, një pjesë tjetër ka mbet për nesër. Deri javën e ardhshme do të realizohet komplet”- ka thënë Kurti.

Kurti ka filluar punën si kryeshef i ndërmarrjes “Trepça” më 01.02.2024.

Ai ishte zotuar se do të krijonin pavarësi financiare dhe se nuk do të vareshin nga qeveria për përmbushjen e obligimeve të ndërmarrjes.

“Kena me punu, kena me rrit prodhimin, duhet me kriju pavarësi financiare- jo me lyp mbështjeje e as mëshirë, as prej qeverisë e as prej kërkujt, por me mundësit tonat, me punën tonë me i kry obligimet tona, qoftë obligimet ndaj punëtorëve, qoftë obligimet ndaj furnitorëve dhe të tjerëve. Përndryshe nëse ndërmarrja ‘Trepça’ funksionon nën mëshirën e të tjerëve apo mbështjetjen e vazhdueshme të qeverisë atëherë pse duhet të jetë realisht”- kishte thënë Kurti.

Ndërsa sa i përket kërkesave të minatorëve për realizim me kohë të pagave dhe ekzekutimin e pagës së plotë, të cilat kanë qenë evidente pothuajse gjatë gjithë vitit, Kurti ka thënë se do ta bëjë  më të mirën e mundshme.

“Unë veç di me premtu që do ta bëj më të mirën e mundshme që secilën kërkesë të punëtorëve me e adresu ashtu siç e meriton. Por normalisht do të kërkoj prej minatorëve me i kry obligimet e veta të cilat i kanë dhe për të cilat paguhen”- ka thënë kryeshefi.

Bashkim Kurti është zgjedhur kryeshef i ndërmarrjes “Trepça” me 12 janar.

Kryeshefi i ri i ‘Trepçës’ zotohet për plotësimin e kërkesave të minatorëve