Ekskluzive: Përmbajtja e Ligjit për Trepçën

Gjigandi i dikurshëm industrial kosovar, Trepça, me projektligjin e miratuar nga qeveria e Kosovës, do të bëhet shoqëri aksionare.

Qeveria e Kosovës do të bëhet aksionari kryesor i ndërmarrjes Trepça Sh.A. me 80 për qind të aksioneve. Kurse, 20 për qind të aksioneve do t’i takojnë punëtorëve të Trepçës.

Në projektligjin e miratuar sot në Qeveri, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, është rregulluar edhe çështja e të ardhmes së kësaj ndërmarrje dhe borxheve të ndërmarrjes Trepça. Me këtë ligj, qeveria e Kosovës synon ta parandalojë likuidimin e kësaj ndërmarrjeje që sipas ligjeve në fuqi mund të ndodh pas datës 1 nëntor. Projektligji do të jetë në lexim të parë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës që do të mbahet të premten.

Përderisa pronësia e qeverisë është qartë, në projektligj janë dhënë më shumë detaje për mënyrën e ndarjes së aksioneve për punëtorët.

Është thënë se përqindja e pjesëmarrjes në 20% të aksioneve, për secilin punëtor veç e veç, përcaktohet duke e përllogaritur sipas vlerës së aseteve të njësisë biznesore ku punëtori ka marrëdhënie pune.

“Aksionar në 20% të aksioneve nga radhët e punëtorëve në njësinë biznesore mund të jetë vetëm punëtori në marrëdhënie të rregullt pune që është në listën e pagave në njësinë përkatëse biznesore jo më pak se 3 vite nga hyrja në fuqi e këtij ligji”, thuhet në paragrafin e 4 të nenit të 4 të projektligjit të Trepçës.

Trepça si Shoqëri Aksionare do t’i ketë tri njësi kryesore: Minierat me Flotacion Trepça – Stan Tërg, Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë dhe njësia Minierat me Flotacion Kopaonik – Leposaviç. Këto njësi aktualisht janë nën ndërmarrjen Shoqërore Trepça. Por, me projektligj është paraparë edhe formimi i tri njësive të reja.

“Bazuar në studimin e fizibilitetit dhe arsyeshmërinë ekonomike e financiare, në përbërje të Trepça Sh.A. formohen edhe këto njësi biznesore: Metalurgjia e Plumbit, Metalurgjia e Zinkut dhe Industria Kimike”, thuhet në nenin 11 të projektligjit. Me ligj është lënë mundësia e formimit të njësive të tjera që potencialisht mund të jenë pjesë e rekomandimit nga studimi i fizibilitetit. Për më tepër, në projektligj është lënë mundësia që nëpër këto njësi të përfshihet edhe sektori privat.

FINAL_PROJEKTLIGJI PËR TREPÇËN ministri

“Njësia biznesore mund të propozojnë planet, projektet investuese në të cilat do të mund të investojnë fitimet e tyre dhe inkuadrojnë iniciativat për partneritetin publiko-privat ose investuesve privatë me aprovim në bordin menaxhues”, thuhet në paragrafin 5 të nenit 11.

Ndërsa, pjesët tjera të Trepçës të cilat nuk janë transformuar me projektligjin e Trepçës do të trajtohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit bazuar në përfundimet që do të dalin nga studimi i fizibilitetit. Në projektligjin e Trepçës thuhet se njësi tjera mund të privatizohen nga AKP-ja.

Përkundër caktimit të aksionarëve në Trepçën Sh.A, në projekt ligj është specifikuar edhe njëherë që resurset minerale janë pronë të Republikës së Kosovës. Me ligjet në fuqi secila kompani e cila bënë eksploatimin e resurseve minerale duhet të paguajë rentë Qeverisë së Kosovës. Renta caktohet nga Kuvendi i Kosovës dhe ndryshon varësisht nga minerali që shfrytëzohet.

“Resurset Minerale janë pronë e Republikës së Kosovës”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 5.

Tutje thuhet se Trepça Sh.A. hulumton dhe shfrytëzon resurset minerale në bazë të licencës për hulumtim dhe shfrytëzim të lëshuar në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.

“Të gjitha të drejtat, interesat dhe licencat e vlefshme operuese të Ndërmarrjes Shoqërore Trepça kalojnë në Trepça Sh.A”, thuhet në paragrafin e 3 të nenit 5.

Përfshirja e sektorit privat në Trepçën e re

Neni 12 i projektligjit të Trepçës i është kushtuar mundësisë së përfshirjes së sektorit privat në këtë ndërmarrje ku aksionari kryesor me 80 për qind të aksioneve është Qeveria e Kosovës.

“Trepça Sh.A në kuadër të procesit të transformimit dhe ristrukturimit me qëllim të krijimit të kushteve për zhvillimin e saj do të krijojë mundësi për të qenë atraktive për investues privatë vendorë dhe të jashtëm, në format si: partneriteti publiko-privat; investime direkte private; investime të përbashkëta dhe emetimi dhe shitja e aksioneve”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 12.

Është thënë se investimet në njësitë ekzistuese qeverisën sipas pjesëmarrjes në kapital. Kompetenca të gjëra i janë lënë Bordit Mbikëqyrës të Trepçës, i cili përbëhet nga nëntë (9) anëtarë të zgjedhur nga aksionarët përpjesëtimisht me pjesëmarrjen në kapital, sipas procedurave që përcaktohen në statut.

Ky bord ka kompetenca që të vendos marrëveshje kontraktuale për qeverisjen dhe menaxhimin në njësitë përkatëse biznesore edhe kur pjesëmarrja e investitorit privat në kapital është më e vogël se 50 për qind.

Ndërsa, në rastet kur investitori privat krijon një pjesëmarrje më të madhe se 50 për qind në njësinë biznesore, qeverisja dhe organizimi i entitetit biznesor bëhet sipas legjislacionit në fuqi për shoqëritë tregtare. Në pjesën e shtatë të ligjit për shoqëritë tregtare është e rregulluar çështja e shoqërive aksionare në Republikën e Kosovës.

Në këtë nen thuhet se formimi i tri njësive të reja të Trepçës (Metalurgjia e Plumbit, Metalurgjia e Zinkut dhe Industria Kimike) mund të bëhet në partneritet me sektorin privat.

“Për investimet në metalurgji dhe në përpunim të metaleve si dhe në industrinë kimike, Qeveria e Republikës së Kosovës, si aksionari kryesor, dhe investitorët privatë mund të formojnë kompani që mbetet në një aleancë dhe partneritet strategjik me Trepça Sh.A”, thuhet në paragrafin 5 të nenit 12.

Tutje shpjegohet se kompania e re që do të formohet do të ketë bashkëpunim afarist me kompaninë e re Trepça Sh.A.

“Partneriteti strategjik ndërtohet për bashkëpunim afarist lidhur me furnizimin me koncentrat të mineraleve të eksploatuara nga njësitë përkatëse të Trepça Sh.A.”, thuhet tutje në të njëjtin paragraf. “Partneriteti Strategjik mund të lidhet në interes për zhvillimin e metalurgjisë, përpunim të metaleve në Kosovë dhe gjithashtu edhe për shfrytëzim të metaleve të rralla e të çmuara, zhvillim të industrisë kimike dhe produkte e shërbime të tjera që gjenerojnë punësim në Kosovë”, thuhet tutje në projektligjin për Trepçën, neni 12.

Në këtë nen është paraparë mundësia që Trepça e re të mund të regjistrohet në bursat e tregut të letrave me vlerë me qëllim të sigurimit të burimeve për investime të reja.

Favorizimi i komunave ku operon Trepça

Komunat në të cilat operon Trepça do të jenë më të favorizuara krahasuar me komunat tjera të Kosovës në të cilat operojnë ndërmarrje të tjera që shfrytëzojnë pasuritë nëntokësore të Kosovës. Derisa, Obiliqi nuk merr asgjë në kthim nga operimi i KEK-u në këtë komunë, krejt tjetër status do të kenë komunat të cilat preket nga operimi i Trepçës. Në projektligjin e miratuar në qeverinë e Kosovës është paraparë kthimi i një pjesë të rentës së paguar tek komuniteti.

“Pas inkasimit të rentës minerale nga institucioni përkatës, 20 për qind e vlerës së kësaj rente rialokohet nga Buxheti Qendrore për Buxhetin Komunal të Komunës ku ndodhet njësia biznesore, e dedikuar në mënyrë specifike për investime në zhvillimin e komunitetit në lokacionin ku ndodhet njësia biznesore në fushën e mbrojtjes së mjedisit, infrastrukturës, sport, shëndetësi dhe arsim”, thuhet në paragrafin e dytë të nenit 13 të projektligjit për Trepçën.

Në projektligjin për Trepçën janë trajtuar edhe pjesët tjera të Ndërmarrjes Shoqërore Trepça, të cilat nuk janë transferuar tek ndërmarrja e re.

“Asetet tjera të ndërmarrjes shoqërore “Trepça”, të cilat nuk transformohen me këtë ligj tek Trepça Sh.A, do të trajtohen sipas rekomandimeve të studimit të fizibilitetit. Asetet jothelbësore dhe joprofitabile do të mbeten në menaxhim të AKP-së për t’iu nënshtruar privatizimit ose likuidimit në përputhje me ligjin”, thuhet në nenin 14.

Edhe pretendimet e kreditorëve i janë lënë Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Pretendimet kreditore ndaj njësive biznesore sipas nenit 2 të këtij ligjit, të krijuar deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, trajtohen nga AKP-ja në cilësinë e administratorit dhe nga Dhoma e Posaçme”, thuhet në paragrafin e parë, neni 15.

Tutje në këtë nenë thuhet se detyrimet e vërtetuara me vendim të plotfuqishëm të Dhomës së Posaçme lidhur me pretendimet kreditore ndaj këtyre njësive biznesore, kompensohen sipas legjislacionit në fuqi për ndërmarrjet shoqërore në Republikën e Kosovës.

Frika nga likudimi

Qeveria e Kosovës është përkujdesur që në ligj të fut edhe nene me të cilat e shmangë rrezikun nga likudimi eventual i Trepçës.

“Në qoftë se para hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë filluar procedura të riorganizimit, falimentimit apo likuidimit, lidhur me njësitë organizative të Nsh “Trepça” nga neni 2 i këtij ligji, ato ndërpriten me hyrjen në fuqi të këtij ligji”, thuhet në nenin 16.

Në vitin 2015, kur Qeveria ishte në tentim për të bërë Trepçën ndërmarrje publike kishin dal zëra se Dhoma e Posaçme mund të fuste Trepçën në likuidim përkundër ndryshimit të bazës ligjore. Kjo gjë tash është rregulluar në projektligjin e ri.

“Dispozitat e këtij ligji mbizotërojnë mbi çdo dispozitë tjetër të legjislacionit tjetër që mund të parasheh diçka ndryshe prej asaj që parashihet në këtë ligj”, thuhet në nenin 17 të projektligjit për Trepçën.

Gazeta JnK kishte publikuar një hulumtim me të cilin shpjegohej rreziku që i kanoset Trepçës për shkak të zvarritjes së hartimit të ligjit të veçantë për Trepçën.

Shteti Rrezikon Trepçën

http://kallxo.com/ministrat-serbe-kunder-projektligjit-per-trepcen/