Thaçit e Veselit u vazhdohet paraburgimi

Gjykata Speciale ua ka vazhduar paraburgimin ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët po gjykohen për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kështu tha sot, më 22.02.2024, Michael Doyle, zëdhënës i Gjykatës Speciale në Hagë.

Ai njoftoi se vendimi për vazhdim të paraburgimit u mor më 15.02.2024.

Sipas këtij njoftimi, për të dy të akuzuarit, gjykatësit konstatuan se vazhdon të ekzistojë rreziku që ata të pengojnë ecurinë e procesit dhe të kryejnë vepra të tjera penale ndaj personave që konsiderohen si kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në këtë gjykim.

“Trupi Gjykues vazhdoi të ishte i mendimit se këto rreziqe mund të zvogëlohen vetëm nëpërmjet kornizës së monitorimit të komunikimeve në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara, ku përfshihen edhe masat e urdhëruara kohët e fundit nga Trupi Gjykues. Në të njëjtën çështje gjyqësore, Trupi Gjykues konstatoi më 16.02.2024 se disa pjesë të transkriptit të dëshmisë së një dëshmitari mund të riklasifikohen si publike” – njoftoi Doyle.

Në konferencën e përjavshme për ecurinë e proceseve në Gjykatën Speciale, Doyle tha se në gjykimin Thaçi dhe të tjerët këtë javë kanë dhënë dëshmi dëshmitarët e 45-të dhe 46-të të thirrur nga Prokuroria, kryesisht në seanca publike.

Doyle shtoi se duke filluar nga e martja, dëshmitari i 46-të dëshmoi me pseudonim, por pa ndryshim të pamjes apo të zërit, lidhur me rrëmbimin e anëtarëve të familjes së tij në zonën e Rahovecit.

Ai gjithashtu tha se të martën pasdite, një ish-epror i UÇK-së, Hajrush Kurtaj, vijoi dhënien e dëshmisë që e kishte filluar më herët këtë muaj. Dëshmia e Hajrush Kurtajt vazhdoi të mërkurën dhe të enjten.

Pas seancës së rregullt të gjykimit të ditës së djeshme, Doyle tha se trupi gjykues II mbajti një seancë të veçantë për të diskutuar kalendarin dhe aspekte të planifikimit të gjykimit, përfshirë mundësinë e thjeshtimit të provave të paraqitura nga Prokuroria, si edhe marrjen e masave që më shumë seanca gjyqësore të bëhen publike.

Në të njëjtën çështje gjyqësore, javën e kaluar u dorëzuan parashtrime publike lidhur me ndryshimin e mbrojtësit dhe bashkëmbrojtësit të dy prej të akuzuarve.

Më 16.02.2024, administratorja e Gjykatës e informoi trupin gjykues për përfundimin e emërimit të Dejvid Jang si bashkëmbrojtës i Rexhep Selimit.

Pasi trupi gjykues miratoi tërheqjen e Gregori Kihout si kryembrojtës i Hashim Thaçi, administratorja emëroi Luka Mishetiqin kryembrojtës të Thaçit, më 19.02.2024.

Doyle gjithashtu njoftoi se gjatë seancës së 20.02.2024, trupi gjykues i dha urdhër gojor Luka Mishetiqit që të dorëzojë listën e përditësuar të ekipit të mbrojtjes së Thaçit deri më 11.03.2024.

Tutje në këtë njoftim javor Doyle tha se në çështjen gjyqësore Pjetër Shala, trupi gjykues e deklaroi të mbyllur fazën e paraqitjes së provave dhe caktoi datat për paraqitjen e deklaratave përmbyllëse nga 15 deri më 19.04.2024.

“Sipas Rregullores, pas deklaratave përmbyllëse, kryegjykatësi i trupit gjykues e deklaron të mbyllur çështjen gjyqësore. Pas mbylljes së çështjes gjyqësore, trupi gjykues fillon fazën e kuvendimeve. Aktgjykimi duhet të shqiptohet brenda 90 ditësh pas mbylljes së çështjes gjyqësore, përveç nëse, për shkak të rrethanave, kërkohet zgjatje e afatit” – tha tutje Gjykata Speciale.

Krahas caktimit të datave për deklaratat përmbyllëse, sipas Doyle, gjykatësit ftuan mbrojtësin e viktimave të paraqesë kërkesë për zhdëmtim për dëmin fizik, mendor dhe apo ose material që pretendohet se është pësuar (nga secila) prej viktimave pjesëmarrëse në proces, nëse ka, deri më 4 mars.

Trupi gjykues I gjithashtu ftoi Prokurorinë, mbrojtjen dhe mbrojtësin e viktimave që të dorëzojnë dosjet gjyqësore përfundimtare përkatëse, dhe mbrojtësin e viktimave që të dorëzojnë deklaratën në lidhje me pasojat e shkaktuara nga veprat penale të pretenduara tek viktimat deri më 25.03.2024.

Sipas njoftimit javor në çështjen gjyqësore Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala, Prokuroria ka dorëzuar dosjen paraprake së bashku me listën e dëshmitarëve që synon të thërrasë dhe listën e provave materiale që propozon të paraqesë gjatë gjykimit për vërtetimin e akuzave.

Më 21.02.2024, administratorja njoftoi gjykatësin e vetëm që është caktuar të mbikëqyrë zbatimin nga administratorja të urdhrit për zhdëmtime të trupit gjykues I në çështjen gjyqësore Salih Mustafa, lidhur me emërimin e Julius von Bone si mbrojtës të Mustafës.

Thaçi e Veseli, bashkë me Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, janë të akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10.05.2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18.01.2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15.02.2023.

Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 04 dhe 05.04.2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.