Foto: ZKM

Për shkak të një gabimi teknik me numrat e parcelës, Qeveria anulon vendimin e saj që "Trepça" të merrte në shfrytëzim një pronë

Qeveria e Kosovës ka anuluar vendimin e saj të datës 24.01.2024 për marrjen në shfrytëzim të një prone në Leposaviq nga Ndërmarrja Publike “Trepça” Sh.A.

Kryeshefi i “Trepçës”, Bashkim Kurti, i kontaktuar nga KALLXO.com, tha se vendimi është anuluar me kërkesë të tyre, për shkak të një lëshimi teknik.

“Ne kemi kërkuar të anulohet për shkak të një lëshimi teknik te numrat e parcelës, deri në një vendim tjetër” – tha Kurti.

Këtë vendim, Qeveria e mori në mbledhjen elektronike që mbajti sot, më 26.03.2024.

“Aprovohet kërkesa me Nr. prot. 439 e datës 22 janar 2024 e Ndërmarrjes Publike “Trepça” Sh. A. për marrje në shfrytëzim të pronës së ngastrës kadastrale me Nr. 3129 Kostin Potok, Majdevo – Leposavic, pronar Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila menaxhohet nga Agjencia Pyjore e Kosovës” – thuhej në vendimin e parë të Qeverisë.