Kishin mbetur të ngujuar në një shpellë në Tiranë, Policia shqiptare shpëton 5 turistë britanezë

Policia e Shtetit shqiptar ka shpëtuar 5 turistë nga Britania e Madhe të cilët kishin mbetur të ngujuar në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbasit” në Tiranë.

Sipas njoftimit, operacioni i kërkim-shpëtimit gjatë mbrëmjes së djeshme me 27.04.2024 është kryer nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 1, në bashkëpunim me grupin alpin të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe me Federatën Shqiptare të Alpinizmit.

“Mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit se 5 turistë nga Mbretëria e Bashkuar, kishin mbetur të bllokuar në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbasit”, për shkak të terrenit të veshtirë malor dhe mungesës së orientimit në errësirë, është organizuar menjëherë puna për gjetjen e tyre” – thuhet në njoftim.

Policia ka thënë se kërkimi ka zgjatur rreth pesë orë, ndërsa pesë turistët nga Britania janë në gjendje të mirë shëndetësore.