Publikohet një video e dy pengjeve izraelite që po mbahen në Gazë prej 7 tetorit

Hamasi – grupi i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – e publikoi një video të shtunën të dy pengjeve izraelite, të cilët është duke i mbajtur në Rripin e Gazës prej 7 tetorit.

Videoja është e xhiruar ngjashëm sikur videot e kaluara të pengjeve që i kishte bërë publike grupi radikal palestinez. Këto video janë dënuar nga Izraeli si “terrorizëm psikologjik”.

Dy burrat, të identifikuar si Keith Siegel 64 vjeç, dhe Omri Miran 47 vjeç, flasin ndaras në këtë video. Ata u shprehën dashuri familjarëve të vet dhe kërkuan të lirohen.

Mirani ishte rrëmbyer nga shtëpia e tij në komunitetin Nahal Oz në sy të bashkëshortes dhe dy fëmijëve të vet të rinj gjatë sulmit vdekjeprurës të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, e cila e nxiti luftën në Gazë.

Siegel, i cili ka shtetësi amerikane dhe izraelite, u rrëmbye bashkë me gruan e vet nga një qytet tjetër kufitar. Bashkëshortja e tij u lirua më vonë gjatë një armëpushimi të shkurtër në nëntor.

Videoja e tyre u publikua të shtunën gjatë festës së Pashkëve izraelite.

Për një çast duke folur, Siegel shpërthen në lot duke e kujtuar kremtimin e kësaj feste së bashku me familjen vitin e kaluar dhe duke shpresuar se do të bashkohet me ta.

Rreth 250 izraelitë dhe të huaj u rrëmbyen në jug të Izraelit nga Hamasi dhe u dërguan në Rripin e Gazës.

Gjatë marrëveshjes së nëntorit Hamasi i liroi 105 pengje – shumica e të cilëve gra dhe fëmijë – në shkëmbim të një armëpushimi njëjavor dhe lirimit të 250 të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

Besohet se edhe 133 pengje janë duke u mbajtur ende në Gazë, prej të cilët 30 mendohet se kanë vdekur.

Bisedimet indirekte mes Izraelit dhe Hamasit për ta siguruar lirimin e pengjeve të mbetura po vazhdojnë tash e shumë javë.

Hamasi e ka hedhur poshtë propozimin e kaluar për një armëpushim gjashtëjavor në këmbim të lirimit të 40 pengjeve.

Ky grup thotë se marrëveshja duhet të përfshijë armëpushim të përhershëm, tërheje të plotë të ushtrisë izraelitë nga Gaza dhe kthimin e të zhvendosurve në shtëpitë e tyre.

Izraeli ngul këmbë se i duhet ta shkatërrojë Hamasin dhe t’i lirojë pengjet së pari/REL/.