Arkiv: Shpend Ahmeti & Yll Rugova

Rugova flet për KALLXO nëse do të vazhdojë 't`i shërbej' qeverisjes së Shpend Ahmetit

Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova e ka quajtur “shkarkim selektiv”, shkarkimin e Arben Vitisë dhe Nora Kelmendit dhe mos shkarkimin e tij nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Duke e shkarkuar Arben Vitinë dhe Nora Kelmendin, dhe duke mos më shkarkuar mua si drejtor të Vetëvendosjes, Shpendi po e përdorë taktikën që serbët e përdornin me “shqiptarët e ndershëm” duke më shpallur “Vetëvendosje i ndershëm””, ka thënë Rugova në publikimin e tij në Facebook.

Drejtori i Kulturës, Yll Rugova është drejtori i vetëm i mbetur nga Lëvizja Vetëvendosje. Rugova për një prononcim për KALLXO.com tha se asnjë veprim nuk do ta marrë pa u konsultuar me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Çdo veprim që do ta marr, do ta marr në konsultim me Lëvizjen Vetëvendosje. Unë jam në konsultim të vazhdueshëm me Lëvizjen, por këtë temë ende nuk kemi arritur ta diskutojmë, se çfarë vendimi me marrë”, ka thënë Rugova.

Shpend Ahmeti e kishte fituar Prishtinën në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje në dhjetor të vitit të kaluar pas vendimit të Gjykatës Supreme për refuzimin e ankesave të LDK-së.

Në maj të këtij viti i pari i Prishtinës, kishte filluar rrugëtimin me një parti të re, të quajtur Partia Socialdemokrate, duke e ndarë qeverisjen e kryeqytetit me Lëvizjen Vetëvendosje.