Foto:KALLXO.com

Policia arreston 67-vjeçarin që kanosi me armë nipin e tij në Lezhë

Policia e Shqipërisë ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikti me armë zjarri mes xhaxhait dhe nipit në Lezhë.

Sipas policisë, 67-vjeçari u arrestua pasi që ka kërcënuar nipin e tij me armë për motive pronësie.

“Falë ndërhyrjes në kohë është parandaluar përshkallëzimi i konfliktit dhe është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë me municion luftarak, që dyshohet se e posedonte shtetasi P. N., 67-vjeçar, banues ne Merqi, Lezhë” – thuhet në njoftimin e policisë.

Ai dyshohet për veprat “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Në banesën e tij, është gjetur edhe një sasi municioni luftarak.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.