Foto: Policia e Shtetit, Facebook
Policia shqiptare sekuestron mbi 10 mijë euro në pikën kufitare në Dibër
11.5.2024 - 18:53
Policia e Shqipërisë ka sekuestruar 10 mijë e 70 euro, 100 mijë lekë dhe 70 paund të padeklaruara në pikën kufitare në Dibër.
Në bashkëpunim me doganën, automjeti tip “Volkswagen” me drejtuesin M.L. është ndaluar për kontroll në vijë të dytë, ku edhe janë gjetur paratë.
“Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M.L., 29-vjeçar, banues në Bushtricë, Kukës, për veprën penale ‘Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë’” – thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.