A po amnistohet korrupsioni me numrin e vogël të aktakuzave nga denoncimet e Auditorit?
Për gjashtë vite me radhë, Zyra Kombëtare e Auditorit denoncoi mbi 300 raste ku dyshohej për korrupsion.
Por Prokuroria e Shtetit ka ngritur deri më tani vetëm tre aktakuza. Sipas të dhënave, nga 143 raste të trajtuara, 59 janë hedhur poshtë dhe mbi 80 raste janë ende duke u shqyrtuar.
Labinot Leposhtica nga zyra ligjore në KALLXO.com ka thënë se numri i vogël i aktakuzave që janë ngritur nga Prokuroria e Shtetit nga gjetjet e ZKA-së është alarmuese.
“Unë do të isha shumë kurioz me i pa vendimet mbi hedhjen e këtyre rasteve, nuk e di nëse ZKA nëse i ka kërkuar edhe aktvendimet për pushim të hetimeve” – tha Leposhtica në KallxoPernime.
Sipas tij, një analizim i aktvendimeve do të tregonte sesi po trajtohen rastet që denoncohen nga Auditori pranë Prokurorisë së Shtetit.
“Analiza e atyre vendimeve e ekspozon atë a kemi të bëjmë me amnistim të krimit apo kemi të bëjmë siç rëndom prokurorët dhe gjykatat në Kosovë të dyshuarit për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit i lirojnë mbi elementin e dashjes” – deklaroi tutje ai.
“Fakti që i kemi vetëm tre aktakuza nga të gjitha ato raste konsideroj që është alarmuese për krejt ne” – ka deklaruar Labinot Leposhtica.
Në anën tjetër, Arian Tahiri, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut ka thënë brenda komunës ka mekanizma që trajtojnë rastet e shkeljeve dhe dyshimeve për keqpërdorime.
Sipas tij, ka raste kur edhe janë suspenduar zyrtarët komunalë.
“Si institucion i qeverisjes lokale ne i kemi komisionet të cilat e kanë mandatin çdo dy vite dhe në momentin që vërehet që ka keqpërdorim apo abuzim me pozitën zyrtare” – ka thënë Tahiri.
“Zyrtarët publikë, në këtë rast shefi një institucioni është i obliguar të inicioj procedurën disiplinore dhe pastaj të merren veprimet e nevojshme në bazë të fakteve dhe argumenteve” – ka deklaruar nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Sipas Tahirit, deri më tani nuk ka ndonjë nisje të procedurave disiplinore nga gjetjet e ZKA-së.
“Ne i kemi pasur raste disiplinore por edhe raste kur kemi suspenduar zyrtarët në momentin kur iu është ngritë aktakuza, kemi marrë veprime. Procedura disiplinore në bazë të gjetjeve të Auditorit deri më tani nuk kemi pasur” – ka deklaruar Tahiri.
Shënim: Artikulli është edituar më 11.05.2024, ora 21:15, duke e vendosur shifrën e saktë prej 300 denoncimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit.