Koordinatori i Zyrës ligjore të BIRN, Labinot Leposhtica, Foto: KALLXO.com

Si po adresohen gjetjet e auditorit nga komunat në rastet kur nuk ka element të veprës penale?

Zyra Kombëtare e Auditorit çdo vit denoncon në Prokurorinë e Shtetit dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga zyrtarët publikë në institucionet publike të vendit, si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror.

Por, shumë raste ku konstatohen shkelje e të cilat nuk kanë elemente të veprës penale, mbesin pa u trajtuar nga institucionet publike.

Shpeshherë, nuk formohen fare komisione disiplinore ndaj zyrtarëve të cilët bëjnë shkelje në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive.

Për këtë, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) ka përgatitë pesë analiza për pesë komuna të Kosovës për të parë sesi duhet të adresohen shkeljet nga gjetjet e Auditorit.

“Nga analiza që kemi bërë, nuk ka qenë qëllimi vetëm të raportojmë mbi raportet e Auditorit por të shohim se sa komunat kanë ndërmarrë veprime disiplinore apo veprime që kanë për synim që ata personat që i kanë shkaktu këto, gjetjet që i ka konstatu raporti, janë vënë para përgjegjësisë, kemi synua me shërby si hallkë ndërmjet raporteve të Auditorit dhe veprimeve që i merr një komunë e caktuar ndaj zyrtarëve” – ka thënë Labinot Leposhtica nga zyra ligjore e KALLXO.com në KallxoPernime.

Pjesë e analizave ishin pesë komuna të vendit, Prishtina, Gjilani, Lipjani, Vushtrria dhe Gjakova.

“Ne kemi ardhur në përfundim që shumë prej gjetjeve që i harton Auditori, në të cilat në disa prej tyre ka edhe element penal, por ne kemi vërejtur gjithashtu një zbrazëti, çka ndodhë me rastet që nuk kanë elemente penale, por ku ka veprime apo mosveprime konkrete nga zyrtarët publikë dhe këtë e kemi adresu” – ka deklaruar Leposhtica.

Sipas tij, komunat tashmë janë në dijeni për disa raste e për të cilat u është dërguar edhe shkesë me të dhëna konkrete.

“Në secilën prej komunave ne i kemi dërguar nga 5 deri në 6 shkresa që në total kanë qenë mbi 30 shkresa ku kemi kërkuar që gjetjet që i ka konstatuar Auditori dhe për të cilat nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga komuna për vënje para përgjegjësisë për zyrtarët, me ndërmarrë veprime përmes komisioneve disiplinore” – ka thënë Leposhtica nga zyra ligjore e KALLXO.com.