Deputeti Dimal Basha në intervistën e RTK-së, Foto: AGK/Facebook
Përsëri "përplasje" mes deputetit Basha dhe AGK-së për intervistën në RTK
Gjuha e përdorur nga deputeti i Lëvzjes Vetëvendosje, Dimal Basha, në një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës përballë gazetares Blerta Foniqi Kabashi është kritikuar ashpër në publik.
Deputeti Basha në intervistën për RTK i pyetur në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe u shpreh se kjo temë duhet të jetë si shqetësim për Radiotelevizionin e Serbisë, por jo edhe për RTK-në.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët e kanë quajtur si “intimidim publik” përgjigjen e Bashës ndaj gazetarës Foniqi Kabashi. Për këtë kanë reaguar edhe drejtori i Televizionit publik, Rilind Gërvalla dhe Drejtori i Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj.
Gërvalla e quajti të papranueshme gjuhën e deputetit Basha ndërsa Ahmetxhekaj e ka konsideruar sulm të drejtpërdrejt.
“Ndërtimi i narracionit që kushdo që raporton ndryshe nga bindjet politike të tjetrit është me Serbinë dhe RTS-in, është sulm i drejpërdrejt mbi punën dhe angazhimin tonë të përditshëm”- ka shkruar drejtori Ahmetxhekaj në Facebook më 04.05.2024.
Ndaj të gjitha deklaratave ka reaguar përsëri deputeti i LVV-së, Dimal Basha.
Basha tha se ai nuk ka intimiduar gazetaren por vetëm ka qenë kritik që tema e Asociacionit të mos jetë pjesë kryesore e debatit.
“Shkurt, unë kam qenë kritik që asociacioni të mos jetë pjesë kryesore e debatit mbi dialogun, dhe kjo pasi isha përgjigj njëherë, dhe pas kësaj pyetje ne kemi vazhdu intervistën me pyetje tjera me shumë korrektësi, dhe jemi përshëndet pa asnjë hatërmbetje. Këtë e ka debati dhe kjo është demokracia! Kush thotë ndryshe nuk merr vesh në këtë fushë”- ka thënë Basha më 04.05.2024.
Deputeti ka mohuar se gjuha e përdorur nga ai gjatë intervistës ishte sulm apo kërcënim ndaj mediumit publik apo gazetares.
“Kurse shkurt te reagimi i drejtorit të RTK-së. Mirë shumë që ka reagu, sepse nuk ka me mbrojtë asnjë indidvid të asnjë subjekti, por vetëm lirinë e shprehjes, mirëpo çka më vjen keq është që as drejtori nuk e merr vesh këtë fushë dhe del reagon, sepse nuk i pëlqen kritika ime rreth një teme. Ku ka kërcënim të lirisë së shtypit me kritika. Kritikat mund të mos i pëlqejnë as drejtorit e as gazetares, por ky është thelbi i lirisë së shprehjes, ku debatohet për këdo dhe gjithçka! E di që jeni të pavarur, dhe uroj gjithmonë të mbeteni të tillë, por pavarësia nuk ju amniston nga kritika”- vazhdon postimi i deputetit Basha.
Pas deklaratës së Bashës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar përsëri duke thënë se “deputeti Basha synon disiplinimin e AGK-së dhe RTK-së nga shteti”.
“Në reagimin e ri pas intimidimit që bëri ndaj gazetares së RTK-së, Basha, e tregon hapur tendencën për të kontrolluar përmbajtjen editoriale të Transmetuesit Publik, duke ndërhyrë në atë se çka konsiderohet prioritet për t’u trajtuar dhe për t’u raportuar. Ngjashëm vepron edhe me AGK-në, kur provon të tregojë se çfarë duhet të bëjë dhe si duhet të sillet e të veprojë”- thuhet në reagimin e AGK-së më 04.05.2024.
Asocioacioni i Gazetarëve e ka ftuar deputetin Basha që të përmbahet nga seria e sulmeve, si ndaj AGK-së, ashtu edhe ndaj medieve, duke e përfshirë transmetuesin publik, RTK-në.
“Aludimi i serishëm i z. Basha se si AGK ashtu edhe RTK u shërbejnë interesave të presidentit serb, Aleksandar Vuciq, është krejtësisht i pabazuar e i papranueshëm, por mbi të gjitha shumë i rrezikshëm. Gjuha e tillë, e vazhdueshme sikur kjo e z.Basha dhe eksponentëve të tjerë të partisë në pushtet, kanë kontribuar që Kosova të bie kaq shumë në nivelin e respektimit të lirisë së medies, sikurse e ka konstatuar raporti i fundit i Reporterëve pa Kufij”- thuhet në reagimin e AGK-së.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha i ftuar në një intervistë në RTK ishte pyetur nga gazetarja Blerta Fonoiqi Kabashi në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Por Basha u përgjigj duke thënë se kjo temë duhet të jetë shqetësim i Radiotelevizionit të Serbisë dhe jo i RTK-së.
“Unë e shoh qysh duhet me pa secili shqiptar. Në RTS-në e Serbisë ata munden me pas shqetësim të vetëm Asociacionin, në RTK-në e Kosovës nuk duhet m’u kanë veç Asociacioni” – ka thënë deputeti Basha në intervistë sipas reagimit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Gazetarja Foniqi Kabashi i ka reaguar duke e pyetur se pse ai tha kështu.
“D.m.th. kjo është fyerje çka ju po e bëni… Asociacioni nuk është shqetësim i RTK-së e aq më pak imi, sepse po flisni me mua. Asociacioni është kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian dhe gjithë aleatëve tjerë të Kosovës” – reagoi gazetarja Foniqi Kabashi.
Ndërsa, Basha i është kundërpërgjigjur duke i thënë se “nuk është shqetësim i krejtve (Asociacioni i komunave me shumicë serbe), është veç i Serbisë”.
“A ta shpjegova që ka marrëveshje Kosova a jo? E pse po e bën temë apet: Asociacionin a keni me ba?” – ka thënë Basha.
Më tej, gazetarja i ka thënë Bashës se ajo nuk po e bën temë Asociacionin dhe se “është njëra ndër temat kryesore në tavolinë e cila e pret Kosovën ditëve në vazhdim”.
Por, Basha ka mohuar se Asociacioni është tema kryesore.
“S’është tema kryesore, ky është edhe problemi që po e kam. A po e kupton, na jena Qeveria, na e dina çka është tema kryesore. Tema kryesore është marrëveshja…” – përfundoi Basha.