Fatura milionëshe për "Arkitektin e Kryeqytetit", reagon Përparim Rama
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pasi partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, publikoi një faturë të Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit në vlerë prej 1,048,950.00, si e paguar nga Komuna e Prishtinës.
Sipas Ramës, kjo faturë e përgjithësuar është plasuar në publik e pakompletuar.
Sepse, siç thotë ai, ajo faturë e përgjithësuar i ka edhe katër fatura mbështetëse ku është detajizuar secili cent i shpenzuar për shërbimet e ofruara sipas kontratës së nënshkruar me Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit.
“Të gjitha këto fatura i ka pasur në dispozicion Shefi i Grupit të Asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, por ai qëllimisht nuk i ka postuar për të krijuar opinion të rrejshëm të keqmenaxhimit të parasë publike dhe për t’a shndërruar një shërbim profesional në temë për përfitime politike në mënyrë dinake” – ka shkruar Rama duke bashkangjitur edhe fatura tjera në rrjetin social “Facebook” më 10.05.2024.
“E lusim publikisht Shefin e Grupit të Asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të mos keqinformojë publikun dhe të mos ndërtojë opinion të rrejshëm për qëllime politike. Në fund, e informojmë publikun se Shefi i Grupit të Asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë kërkesë për qasje në dokumente zyrtare me datën 02 maj 2024. Organet e Kryeqytetit i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës me datën 08 maj 2024, brenda afatit ligjor të paraparë, dhe i kanë dërguar të gjithë dokumentacionin e kërkuar” – ka shkruar tutje Rama.
Poshtë postimit me të njëjtën përmbajtje të shpërndarë nga faqja zyrtare e Komunës së Prishtinës, ka reaguar përmes komentit shefi i grupit të asamblistëve të LVV-së duke paralajmëruar se “pak më vonë i postoj edhe disa fatura tjera të Arkitektit” dhe se “qytetarët kanë të drejtë me e ditë ku po shpenzohen taksat e tyre”.
Sveçla më 09.05.2024 publikoi një faturë me vlerë mbi 1 milion euro e cila ka përshkrimin Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit
“Fatura e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit tregon se vetëm për dy muaj, për tetor dhe nëntor të vitit 2023, Komuna e Prishtinës ka paguar shumën prej mbi 1 milion euro” – ka shkruar Sveçla i LVV-së.
Komuna e Prishtinës më 22.07.2022 kishte hapur tender për “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”. Vlera e tenderit ka qenë 12 milionë euro.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte deklaruar në KALLXOPërnime se Komunës i nevojitet ‘arkitekti i kryeqytetit’ pasi administrata e kryeqytetit nuk ka aftësi të bëjë një numër të madh të projekteve.