Foto: Përparim Rama/Facebook

Rama: Prokuroria pushoi hetimin ndaj tre zyrtarëve komunalë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pushuar hetimet ndaj tre zyrtarëve komunalë të Prishtinës, që dyshoheshin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Kështu ka thënë Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama përmes një njoftimi në Facebook, sot më 11.05.2024.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pushuar hetimet ndaj zyrtarëve komunal Fadil Aliu, Vehbi Mujku dhe Valbona Makiqi. Hetimet janë pushuar me arsyetimin sepse nuk ekziston dyshimi se kanë kryer vepër penale” – ka shkruar Rama.

Ndalimi i tyre nga Policia më 08.09.2023, sipas Ramës ishte i padrejtë dhe si rezultat i një kallëzimi penal të bërë nga Ministria e Drejtësisë.

Ai ka shtuar se shumë eksponentë politikë kanë tentuar ta shfrytëzojnë këtë ndalim për kauzat e tyre politike, “duke tentuar të njollosin imazhin e zyrtarëve tonë dhe për ta goditur qeverisjen tonë në Kryeqytet.”

“Por edhe në këtë rast sikur në rastin e stopimit të ndërtimit të Rrugës “Jim Xhema”, ata dështuan, drejtësia fitoi. Ne do të vazhdojmë me punë për të mirën e qytetarëve të Kryeqytetit dhe nuk do të ndalemi” – ka thënë më tej Kryetari.

Siç kishte njoftuar Prokuroria, personat Vehbi Mujku dhe Valbona Makiqi, punëtorë në Qendrën për Punë Sociale dyshoheshin se në mënyrë të kundërligjshme kanë punësuar rreth 10 persona në këtë institucion.

Fadil Aliu, zyrtar i LDK-së po ashtu dyshohej të ketë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Lidhur me këto ndalime, nga ana e policisë ishte intervistuar edhe nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.

Prokuroria jep detaje për tre zyrtarët e arrestuar të komunës së Prishtinës