Nga mbi 300 denoncime të Auditorit, Prokuroria e Shtetit ngriti vetëm 3 aktakuza
Vetëm tre aktakuza janë ngritur nga Prokuroria e Shtetit nga më shumë se 300 denoncime të cilat i ka bërë gjatë viteve të fundit Zyra Kombëtare e Auditorit.
Zëvendës-auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj ka thënë se dyshimet për keqpërdorime adresohen çdo vit.
“Po i marrë shembull dy vitet e fundit, në vitin 2021 ne i kemi dërguar 77 raste për të cilat ne kemi dyshuar se mund të kenë elemente të veprave penale për korrupsion e mashtrim, në vitin 2022 i kemi dërguar 55 raste” – ka thënë ai në KallxoPernime.
Nga të gjitha rastet e adresuara në Prokurori, zëvëndësauditori thotë se u ngritën vetëm tre aktakuza.
“Prej vitit 2018, ZKA ka dërguar mbi 300 raste në Prokurori. Nga rezultatet e fundit, nga mbi 300 raste të cilat janë adresuar, aktualisht na janë kthyer informacione për 143 raste ku prej tyre 59 raste janë hedhë poshtë apo janë mbyllur, vetëm tri aktakuza janë ngritur ndërsa 81 raste janë në proces të hetimit” – ka deklaruar Bezad Halilaj.
Tutje, numri dy i ZKA-së ka shprehur shqetësimin me numrin e vogël të aktakuzave.
“Për neve është një shqetësim, neve na bënë të shprehim prapa, a duhet më shumë ne të komunikojmë të ulemi bashkë me mekanizmat e hetuesisë, coftë Prokurorinë, policinë apo gjykatat dhe të diskutojmë se pse ndodh kjo, pse kaq pak aktakuza” – deklaroi ai.