Policia Apel Mërgimtarëve: Shmangeni Pikën Kufitare në Merdar!

Sipas Policisë, qytetarët dhe mërgimtarët mund t’i shfrytëzojnë pikat kufitare te Dheu i Bardhë, Mutivodë, Jarinje etj., sepse edhe në ato pika aplikohen procedurat e njëjta të kalimit kufitar dhe nuk ka pritje as kolona të gjata.

Policia njofton se vonesat dhe kolonat në Merdar janë si rezultat i punimeve për ndërtimin e infrastrukturës dhe objektit të pikës kufitare, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira të kalimit dhe kontrollit kufitar.

“Meqë ky projekt i BE-së sipas planifikimeve ndërtuese pritet të zgjasë, me qëllim të shmangies së pritjeve dhe krijimit të kolonave të gjata, Policia e Kosovës informon dhe apelon tek të gjithë qytetarët dhe bashkatdhetarët se të njëjtit mund të shfrytëzojnë alternativa tjera, respektivisht të perdorin pikë kalimet tjera kufitare që e lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë, si Dheu i Bardhë, Mutivodë, Jarinje etj, sepse edhe në ato pika aplikohen procedurat e njëjta të kalimit kufitar dhe nuk ka pritje as kolona të gjata”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Po ashtu, në njoftim thuhet se Departamenti i Policisë Kufitare gjatë sezonit veror do të punojë me kapacitete të shtuara të personelit policor dhe aplikimit të punës së kontrollit kufitar të përshpejtuar, me qëllim të evitimit të kolonave dhe pritjeve të gjata.