Kuvendi i Kosovës - Foto: KALLXO.com

Opozitarët Fajësojnë Qeverinë për Sigurimet

Deputetja Besa Baftiu që në interpelancën e Isa Mustafës për përgjegjësinë rreth moszbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore foli në emër të “Vetëvendosjes”, fajësoi ish-ministrin e Shëndetësisë Ferid agani dhe ministrin e tashëm Imet Rrahmani për ngecje në këtë fushë.

“Sikur Agani, ashtu edhe Rrahmani kishin shqetësim që të mbahen mend për nisjen e zbatimit të këtij ligji,” tha Baftiu.

Ali Berisha në emër të AAK-së tha se nuk janë krijuar kushtet për të nisur zbatimi i sigurimeve shëndetësore.

“Nuk janë krijuar kapacitet njerëzore, nuk ka çmimore, nuk është pajisur askush me kartela… E bazuar në të gjitha këto mangësi që janë parakushte të plotësohen para se të nis mbledhja e premiumeve shihet se qytetarët e Kosovës edhe për një kohë të gjatë nuk do të kenë sigurime e as shërbime më të mira shëndetësore,” tha Ali Berisha.

Ndërsa Valdete Bajrami në emër të Nismës, tha se ministri Rrahmani është lodhur duke dhënë data.

“Ministri është lodhur duke dhënë data pasi nuk e ka pas idenë se si të menaxhohet ky sistem por as ju z. Mustafa nuk u morët seriozisht me këtë problematikë.  Sistemi shëndetësor është në kolaps e ju nuk e vëreni këtë,” tha Bajrami.