Foto: Islam Berisha, KALLXO.com

Problemet në shëndetësi, deputetja e LVV-së rrëfen çfarë pa në QKUK gjatë trajtimit të motrës që u lëndua nga çatia e Komunës

Duke u bazuar edhe në përvojën e saj personale nëpër institucione shëndetësore, deputetja e pozitës, Fjolla Ujkani, ka folur për sfidat në shëndetësinë e Kosovës.

Ndarja e paqartë buxhetore, largimi i profesionistëve shëndetësorë për shkak të kushteve jo të mira të punës e pagave të panivelizuara duhur, qasja e pabarabartë në shërbime shëndetësore, mungesa e investimeve në infrastrukturë, pajisjet e vjetërsuara, ishin disa prej problemeve që deputetja e LVV-së përmendi në Kuvend më 29.02.2024.

Deputetja nisi fjalimin e saj duke falënderuar stafin mjekësor të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kolegët e miqtë për mbështetjen e ofruar për shëndetin e motrës së saj, për të cilën tha se është e shtrirë tash e 6 javë në QKUK. Motra e deputetes ishte lënduar si pasojë e rënies së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës më 18.01.2024.

“Personeli shëndetësor në QKUK ankohej për mungesën e shtretërve në sallat e reanimacionit dhe emergjencave internistike duke rritur rrezikun për jetën e pacientëve. Ashensorët atë ditë dhe qasja në ta ishin shumë problematike, duke punuar e ndërprerë në mënyrë të pashpjegueshme ndërkohë që kushtet e punës për personelin mjekësor ishin shqetësuese, megjithëse ata ende përpiqeshin të ofronin shërbime cilësore për pacientët” – u shpreh Ujkani.

Deputetja tha se pavarësisht përpjekjeve për përmirësim, edhe pas dy dekadave ky sektor përballet me sfida të mëdha. Sipas saj, problemet e akumuluara ndër vite e keqmenaxhimi kanë lënë pas një trashëgimi të rëndë.

“Konsideroj se për këtë temë duhet të flasim hapur dhe drejt sepse ka pasur një mungesë të madhe të përkushtimit dhe vullnetit për ta trajtuar shëndetësinë si prioritet” – tha ajo.

Pa marrë parasysh bindjet dhe pozicionet politike, ajo tha se është detyrë e tyre që të punojnë bashkë për një të ardhme më të shëndetshme për qytetarët, pasi që siç tha deputetja shëndetësia është një çështje kombëtare e jo një fushëbetejë politike.

“Historikisht, shërbimet e emergjencës në Kosovë janë përballur me sfida në lidhje me kohën e përgjigjes dhe disponueshmërisë së burimeve. Edhe pse janë bërë përmirësime në vitet e fundit, ende ka probleme me koordinimin dhe shpërndarjen e emergjencës veçanërisht në zonat rurale” – tha më tej ajo.

Ndarja e buxhetit për shëndetësi në të kaluarën, sipas saj, ka qenë e pamjaftueshme dhe jotransparente. Mirëpo, edhe sot ajo tha se ka sfida në shpërndarjen e drejtë dhe efikase të buxhetit, me ç’rast fondet shpesh nuk arrijnë aty ku janë më të nevojshme.

Fjolla Ujkani tha se ka mungesë të burimeve, trajnimeve profesionale për shëndetin mendor e ka stigmë të vazhdueshme.

“Ka pasur një mungesë të qartë të fokusit në parandalimin e sëmundjeve dhe edukimin shëndetësor të popullatës, duke çuar në rritje të sëmundjeve të parandalueshme” – tha ajo.

Deputetja përmendi nevojën për të investuar në programe të edukimit shëndetësor e fushatave të ndërgjegjësimit.

Kuvendi i Kosovës po mban sot seancë të jashtëzakonshme lidhur me gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore, të thirrur nga deputeti i Aleancës për Ardhmëinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj.

Në rezolutën e tij për këtë çështje, ai kërkoi që me urgjencë të debatohet çështja e sigurimeve shëndetësore dhe të bashkohen forcat për ta zgjidhur këtë problem, që siç tha ai, po shkakton gjakderdhje të madhe financiare.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kritikoi veprimet e qeverive të kaluara lidhur me funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, ndërkaq deputetët opozitarë kanë akuzuar Qeverinë për degradim të sistetemit shëndetësor.