Gjermania pret nga Kosova “hapa të tjerë konkretë” drejt krijimit të Asociacionit për ta siguruar vendin në KiE

Derisa ende nuk është vendosur nëse çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës do të diskutohet në mes të majit nga Komiteti i Ministrave, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, ka thënë se është koha që Qeveria e Kosovës t’i bindë shtetet që të votojnë për pranimin e saj në Këshillin e Europës, duke ndërmarrë “hapa të tjerë konkretë drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ambasada Gjermane ka theksuar se i takon kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që ta bindin numrin e nevojshëm të shteteve me mjete të tjera, gjegjësisht duke ndërmarrë hapa të tjerë konkretë drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, “të cilën Kosova është zotuar ta themelojë dhe për këtë arsye është obligim ndërkombëtar. ”

“Sipas mendimit tonë, një hap i tillë do të ishte dorëzimi i projektstatutit në Gjykatën Kushtetuese”- shkruan në përgjigjet e Ambasadës.

Përveç saj, Ambasada gjermane ka thënë se shtetet Quint-i dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa të prekshëm për themelimin e Asociacionit në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte biseduar me kancelarin gjerman Olaf Scholz më 29.04.2024, të cilit i ka thënë se shpreson që Gjermania do ta mbështesë kandidaturën e Kosovës në Këshillin e Europës.

“Nënvizova shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën tonë për anëtarësim në KiE në përputhje me rekomandimet e Amsamblesë Parlamentare. Po ashtu rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti në “X”.

Pasditen e vonë të 16 prillit 2024, në sallën e madhe të Parlamentit Europian u arrit të sigurohen votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare, nga të cilat Kosovës i duheshin 2/3 e votave, për të dalë triumfuese nga salla prej të cilës dalin vendime shumë të rëndësishme në fushën e të drejtave të njeriut.

Asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia në të cilat Kosova paraqitej si territor i saj dhe shihej si parakusht formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk u miratua. Këto amandamente nuk u miratuan fillimisht as nga Komiteti për Politikë e as në Asamblenë Parlamentare, pavarësisht që këmbëngulja e delegatëve të Serbisë ishte e madhe.

Nga 171 delegatët që morën pjesë në votim, 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan, në mesin e shumë debateve me pajtueshmëri e kundërshti. Por, pa dyshim edhe duke u bazuar nga votat edhe nga ajo çka u tha brenda asaj salle ngjyrë të kaltër të mbyllur, Kosova pati më shumë përkrahës sesa kundërshtues.

Për më tepër, opinioni që u miratua në dy faza kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2012 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe rreth Kosovës. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5.

Kosova ka aplikuar më 12 maj 2022, për anëtarësim në Këshillin e Evropës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.