Instituti i Historisë Foto: KALLXO.com
Historia e Kosovës, projekti i papërfunduar i Institutit të Historisë
Projekti për shkrimin e historisë së Kosovës ende nuk ka marrë epilog. Në 2017, Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë nisi projektin për shkrimin e historisë së Kosovës.
Për shkrimin e kësaj historie u angazhuan historianë të shumtë të periudhave përkatëse historike. Ishin ndarë mbi 120 mijë euro, ndërsa dy vëllimet e para ishte planifikuar të dilnin nga shtypi në fund të viti 2022.
Por, deri më sot dy botimet e para të “Historisë së Kosovës” nuk dolën. Historiani Sabit Syla, bartës i këtij projekti, thotë se për arsye objektive ende nuk është realizuar tërësisht projekti, përkatësisht, ende nuk ka dalë nga shtypi, ndonëse vëllimi i I-rë dhe III-të, janë përfunduar së shkruari dhe janë redaktuar.
Në anën tjetër kolegët e Sylës, historianët shprehen kritik me vonesat dhe qasjen e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, rreth realizimit të projektit për shkrimin e historisë së Kosovës. Sipas tyre, realizimi i projektit do të ishte dashur të kryhej dy vite më parë.
Projekti “Historia e Kosovës” parashihet të ketë 4 vëllime, në të cilat do të përfshihet historia e Kosovës që nga antikiteti deri në fund të vitin 2008-të.
Historia e projektit
Historiani Sabit Syla, këshilltar shkencor, edhe ish-drejtori i Institutit të Historisë “Ali Hadri” është shprehur për KALLXO.com, se realizimi i projektit për historinë e Kosovës, ka filluar në 2017, ndërsa janë ndarë rreth 126 mijë euro.
“Sa i përket mjeteve buxhetore, ka kushtuar nëse nuk gaboj diku 126 mijë euro projekti me vlerën më të ulët monetare, po të kemi parasysh ‘Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, hartuar nga Akademia e Shkencave, projektin e Institutit të Historisë në Tiranë, ‘Historia e Shqipërisë’, projektin e Akademisë së Shkencave në Tiranë, ‘Historia e Shqiptarëve’ dhe së fundi edhe projektin e ‘Enciklopedisë Shqiptare’. Në kuadër të projektit Historia e Kosovës, përveç shkrimit të historisë, janë hulumtuar dhe grumbulluar me mijëra dokumente (nga arkiva të ndryshme botërore) nga anëtarët e projektit, të cilat tashmë i posedon Instituti i Historisë”- ka thënë Syla.
Sipas tij, vonesat për botimin e vëllimeve të Historisë së Kosovës, siç ishte paraparë të botoheshin në fund të 2022, janë objektive, pasi, sipas tij, punët në projekte të tilla ecin ngadalë. “Dua të theksojmë se ndonëse duket kohë paksa e gjatë prej kur ka filluar, megjithatë, bazuar në përvojat e kolegëve nga Shqipëria, projekti ‘Historia e Kosovës’ është në kohë optimale”- ka thënë Syla.
Sipas tij, për dy vëllime tashmë ka mbetur edhe pakë punë, vëllimin e parë dhe vëllimin e tretë.
“Vëllimi i parë është kryer si nga redaksia e redaktori shkencor po ashtu edhe redaktimi gjuhësor. Tashmë është në dorën e recensentëve (duhet kohë për të dhënë mendimin edhe recensentët). Po ashtu vëllimi i tretë, është kryer nga redaksia e redaktori shkencor dhe është duke u redaktuar gjuhësisht. Sapo të kryen punën redaktori gjuhësor vazhdohet me vëllimet tjera”- tha ai.
Syla tha se parashikimet janë që këto dy vëllime, deri në fund të vitit do të dalin nga shtypi.
“Si përfundim dua të besoj që në fund të këtij viti së paku dy vëllime të dalin nga shtypi. Edhe pse mund të ketë vonesa, por të cilat nuk varen nga ne, por se sa kryen punë redaktori gjuhësor e recensentët si dhe në fund fare kryeredaktori. Secila procedurë e merr kohën e vet. Por, po e përsërisë që jam shumë optimist që në fund të këtij viti të kemi botimet e para, sidomos vëllimin e I-rë dhe III-të”- tha Syla.
Vonesat e paarsyeshme
Historiani Fehmi Rexhepi, ish-drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri”, ka thënë se projekti për historinë e Kosovës ka rëndësi kombëtare dhe është dashur të realizohet më herët.
Sipas tij, pavarësisht se projekte të tilla me punë ekipore marrin kohë, vonesa prej 7 vitesh nuk është e arsyeshme duke pasur parasysh se shumë gjëra rreth historisë së Kosovës tashmë janë të ditura (dokumentuara më fakte historike).
“Vonesa nuk është e arsyeshme se vonesa në realizimin e projektit, po bëhen 7 vjet që kur ka nisur dhe absolutisht nuk është e arsyeshme, kjo ka mundur të realizohet për 3, 4 maksimumi 5-vjet, pasi skeleti i historisë së Kosovës veç është dhe tani vetëm se duhet të brumoset mbi fakte historike e pa anime politike”- ka thënë historiani Rexhepi.
Se Instituti i Historisë “Ali Hadri” është dashur ta realizonte projektin për historinë e Kosovës e thotë edhe historiani Astrit Sahitaj.
“Instituti i Historisë – ‘Ali Hadri’ n`Prishtinë duhej të organizonte konferenca shkencore të niveleve kombëtare e ndërkombëtare për të finalizuar një vëllim librash për Historinë e Kosovës”- ka thënë Sahitaj.
Përderisa sipas tij, jo vetëm pas luftës së vitit 1998-99, por edhe dekada më parë janë botuar artikuj gjoja shkencorë e libra duke e shtrembëruar të vërtetën historike për Kosovës, me përmbajtje të skajshme shoviniste ndaj shqiptarëve.
Pavarësisht vonesave të Institutit të Historisë “Ali Hadri” për historinë e Kosovës janë botuar disa libra nga autorë të huaj dhe vendas, si: “Kosova: Një histori e shkurtër” nga Noel Malkolm (Sir Neol Malcolm ), “Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” nga Oliver Shmit (Oliver Jens Schmitt) dhe “Kosova” e Jusuf Buxhovit, në 8- vëllime.