Kurti u thotë ambasdorëve të QUINT-it se anëtarësimi në KiE nuk duhet të ndërlidhet me dialogun

Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media thotë se në takimin e Kryeministrit Albin Kurti me ambasadorët e QUINT-it u diskutua mbi zhvillimet aktuale dhe procesin e anëtarësimit në Këshill të Europës.

Anëtarësimi në Këshillin e Europës nuk duhet të përzihet me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas kryeministrit.

“Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg” –  thuhet mes tjerash në komunikatë.

Sipas tij, nëse përzihen kjo do i bënte dëm dialogut dhe Këshillit të Europës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

“Kryeministri theksoi se neni 7 i Marrëveshjes Bazike nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit në Ohër dhe nuk duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër” –  thuhet tutje në komunikatë.

Kurti u ka rikujtuar ambasadorëve se më 26 tetor u refuzua nënshkrimi i marrëveshjes në pako, që sipas tij do i hapte rrugën zbatimit të plotë të saj.

“Në këtë drejtim, Kryeministri e ritheksoi se dokumenti i ofruar si draft statut nga Lajçak për zbatimin e nenit 7 ndërlidhur me atë 10, nuk është pranuar me 26 tetor vitin e kaluar në Bruksel” – thuhet tutje.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka theksuar se në tri instanca është konfirmuar se Kosova plotëson standardet dhe kriteret që të jetë anëtare e plotë e kësaj organizate.

Në komunikatë thuhet se Kryeministri tha se “Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor”.

“Si shenjë gatishmërie dhe hap para, tre krerët shtetëror i dërguan letër të garancisë raportueses Dora Bakoyannis për adresimin e çështjeve të pas anëtarësimit të identifikuara nga Këshilli i Evropës”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Tutje thuhet se me letrën e garancisë Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim.

Kryeministri kosovar ka kërkuar nga shtetet aleate që ta mbështesin anëtarësimin e Kosovës më 17 maj në përputhje me vlerësimet e Këshillit të Europës si dhe mbi bazën e “arritjeve meritore në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe linjëzimit të saj me vlerat dhe qëndrimet perëndimore”.

Në komunikatë askund nuk përmendet se çfarë thanë ambasadorët gjatë takimit.