DASH i quan të rreme pretendimet për shkarkimin e Escobarit

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka demantuar informacionin se Gabriel Escobar është larguar nga pozita e tij si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Sipas përgjigjeve të DASH-it për KALLXO.com, Escobar do të marrë detyrë të re në javët në vijim në kuadër të rotacioneve në detyrë që bëhen tek zyrtarët e Shërbimit të Jashtëm.

Pretendimet e “The Frontliner” se Escobar u lirua nga detyra, DASH i quan të rreme.

“Pretendimet e bëra nga Vudi Xhymshiti janë verifikueshëm të rreme (verifiably false)”- thuhet në përgjigjen e DASH-it.

DASH-i thotë se Escobar do të qëndrojë në pozitën e tij si zv.ndihmëssekretar dhe i dërguar i posaçëm në zyrën për Europë dhe Euroazi si dhe si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor deri në tranzicionin e planifikuar.

Departamenti i Shtetit thotë se gruaja e Escobarit asnjëherë nuk ka marrë fonde nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë. Pretendimet e “The Frontliner” se familjarë të Escobarit kanë lidhje financiare me Qeverinë e Serbisë, DASH-i i çuan të rreme.

“Gruaja e zv.ndihmëssekretarit Escobar nuk ka marrë asnjëherë fonde nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë. As DAS (zv.ndihmës Sekretar) Escobar nuk ka ndonjë lidhje familjare me partnerin e supozuar në firmën ligjore të Teksasit McGinnis Lochridge LLP” – thuhet në përgjigjen e DASH-it.

Në përgjigjet e DASH-it thuhet se Shtetet e Bashkuara fuqishëm mbështesin dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian si rrugë për të arritur marrëdhënie paqësore dhe produktive mes Kosovës dhe Serbisë.

KALLXO.com ka kërkuar informacione se cila do të jetë detyra e re e Escobarit, dhe se kush do të jetë zëvendësuesi i tij si i dërguar i posaçëm për çështjet e Ballkanit Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Nuk kemi njoftime të tjera në këtë kohë në lidhje me stafin” – thuhet në përgjigjen e tyre më 06.05.2024.

Në një artikull, mediumi “The Frontliner” thotë se Escobar u lirua nga detyra e tij në Ballkanin Perëndimor.

Tutje shprehet pretendimi se familjarë të tij kanë lidhje financiare me Qeverinë serbe, gjë e cila ka komprometuar neutralitetin e tij në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Më 07.09.2021 Gabriel Escobar u zgjodh zv.ndihmës Sekretar i Shtetit dhe më pas u ngarku me detyrën si i dërguar i posaçëm në zyrën për Europë dhe Euroazi si dhe si i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor.