Qeveria ua mundëson serbëve të Kosovës t’i kthejnë në RKS patentë shoferët e lëshuar nga strukturat ilegale
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka nxjerrë një vendim nëpërmjet të cilit mundëson zëvendësimin e patentë shoferëve të lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare- të lëshuara nga institucionet e Kosovës.
Kjo ministri ka njoftuar që kalimi në patentë shoferë të RKS, mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve dhe nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patent shoferit, por vetëm aplikim të cilin çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për Pajisje me Dokumente.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një video-adresimi në gjuhën serbe, deklaroi se që një kohë të gjatë kanë pranuar kërkesat e qytetarëve serbë të Kosovës për marrjen e një vendimi të këtillë.
“Kalimi në patent shofer RKS mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve. Për më tepër nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit por vetëm aplikim”- tha Kurti.
Sipas MPB-së, për të aplikuar qytetarëve ju duhet të dorëzojnë në Qendrën për Pajisje me Dokumente: letërnjoftimin, origjinalin e patent shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, çertifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patent shofer, dëshmi të pagesës së taksës, dhe origjinalin e patent shoferit të lëshuar nga UNMIK apo RKS në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ky vendim hyn në fuqi me datën 9 maj 2024 dhe është valid deri me datën 9 gusht 2024.
Çështja e institucioneve serbe në Kosovë u ngrit gjatë takimit të fundit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 25 prill.
Kryenegociatori i Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte thënë se pala serbe ka kërkuar që të lejohet financimi i çfarëdo strukture paralele të Serbisë në Kosovë “deri në themelimin e Asociacionit (të komunave me shumicë serbe).
Sipas Bislimit, pala serbe nuk tregoi se cilat janë këto struktura paralele të cilat ata duan t’i financojnë.
“Ideja e tyre që ka qenë që këto duhet të financohen derisa të themelohet Asociacioni se pastaj ato kalojnë në kompetenca të Asociacionit. Natyrisht që propozimi i tij nuk ka hasur as në mirëkuptimin e z. Lajçak e as tonin” – kishte thënë Bislimi.