Shemsedin Dreshaj në Kuvendin e Kosovës, 27 janar 2022

Rezoluta për sigurimet shëndetësore, Dreshaj: Vetëm Somalia është në situatë të ngjashme me Kosovën

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka paraqitur në Kuvend rezolutën për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore.

Në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet më 29.002.2024, ai kërkoi që me urgjencë të debatohet çështja e sigurimeve shëndetësore dhe të bashkohen  forcat për ta zgjidhur këtë problem, që siç tha ai, po shkakton gjakderdhje të madhe financiare.

“Jemi i vetmi vend në rajon dhe Evropë pa sigurime të mirëfillta shëndetësore. Me sa di unë, vetëm edhe Somalia është në situatë të ngjashme” – tha Dreshaj.

Ligji për Sigurimin Shëndetësor është në fuqi që nga viti 2014, por ai asnjëherë nuk u zbatua në plotëni.

Deputeti renditi disa prej sfidave me të cilat, sipas tij, do të përballen për funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore.

“Fatkeqësisht, ende pa filluar implementimi i (Ligjit për Sigurimin Shëndetësor), në fillim të vitit 2016 fillon saga e plotësim ndryshimit të tij dhe deri më tani janë themeluar 6 ose 7 komisione e grupe të punës, të cilat asnjëherë nuk kanë mundur ta kenë një finalizim të mirëfilltë” – tha ai.

Numri i vogël i punëtorëve në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore që është përgjegjës për zbatimin e këtij ligji, kualiteti i dobët i tyre, infrastruktura fizike e ligjore, e financat janë disa prej probleme që i ngriti Dreshaj.

“Bazuar në këtë ligj është themeluar Fondi i Sigurimeve Shëndetësore si pararendës i agjencisë për financimin shëndetësor. Në momentin e themelimit të fondit ka filluar fuqizimi i kapaciteteve njerëzore. Në vitin 2017, përveç të punësuarve në AFSh ka realizuar punësim me ç’rast numri ka arritur në 37, deri në vitin 2018 janë bërë 43” – tha ai.

Ai ofroi të dhëna për numrin e këtyre punëtorëve në rajon. Sipas tij, Maqedonia e Veriut me 2.5 milionë banorë ka 400 punëtorë, Mali i Zi me 600 mijë banorë ka 250, e Kroacia me rreth 4 milionë banorë 1300.

“Për vitin 2024 sipas ligjit të buxhetit nuk është paraparë shtimi i tyre. Sfidë është edhe kualiteti i të punësuarve sepse sistemi i edukimit nuk ofron shërbime të gatshme për sistemin e sigurimeve shëndetësore, prandaj edukimi kompleks kërkon kohë dhe kosto shtesë” – shtoi deputeti.

Sa i përket infrastrukturës fizike, Dreshaj foli për mungesën e një objekti për Fondin dhe shtoi se atij i duhen edhe 7 njësi të shpërndara nëpër regjione, e të cilat nuk i ka.

“Fondi sot operon në një objekt privat. Përkundër caktimit të lokacionit nga Komuna e Prishtinës që disa vite, procedurat kanë ngecur. Fondi nuk ka buxhet të planifikuar për ndërtimin e selisë qendrore të tij” – tha ai.

Ligji i ri për Sigurimet Shëndetësore është në planin legjislativ për vitin 2024. Dreshaj tha se ndonëse është planifikuar finalizimi i tij në tre muajt e parë, ai do e konsideronte sukses të madh nëse do të kryhej deri në qershor.

Për shkak të ndikimit të ligjit në shumë sfera, Dreshaj tha se edhe diskutimet publike do të zgjasin më shumë. Ai shtoi edhe faktin se pas qershorit do të jeta periudha e ngushtë e zgjedhjeve që siç thotë ai do të ulë interesin dhe përkushtimin.

Bazuar në shtetet e rajonit, sipas deputetit, këtij ligji i duhen së paku 25 akte nënligjore, përfshirë rregullore e udhëzime administrative. Hartimi i tyre, sipas Dreshajt kërkon së paku 2 vjet punë dhe ekspertë.

Shemsedin Dreshaj tha se këto sfida thellohen pasi që edhe plotësim-ndryshimi i Ligjit për Shëndetësi është në proces.

“Edhe pse mandati i Fondit është zbatimi i Ligjit për sigurime shëndetësore, ndikim dhe përgjegjësi të madhe në zbatimin e tij kanë pothuajse të gjitha institucionet, duke filluar nga Ministria e Shëndetësisë përgjegjëse për hartimin e legjislaturës, ATK për mbledhjen e atributeve, Ministria e Financave përgjegjëse për Ligjin e financave, Ministria e Punëve të Brendshme që duhet të bëjë konsolidimin e regjistrit civil dhe institucionet shëndetësore publike e private përmes konsolidimit të procesit të evidentimit dhe raportimit të aktiviteteve të tyre në përputhje me kontratën e nënshkruar” – tha më tej ai.

Çdo improvizim në ngritjen e këtij sistemi, sipas tij rrezikon bankrotimin dhe humbjen e mëtejme të besimit në mundësinë e funksionalizmit të sistemit.

Ai shtoi se financimi i shëndetësisë, së paku sipas ligjit aktual dhe diskutimeve në grupe dhe komisione, do të realizohet nga buxheti dhe kontributet.

“Kjo nënkupton se buxheti aktual për institucionet shëndetësore do të transferohet nga Fondi i sigurimeve si dhe të njëjtit duhet t’i shtohet masa monetare nga kontributet për sigurimet shëndetësore nga të siguruarit. Për t’u arritur mbulimi universal shëndetësor sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë nevojitet që buxheti i shprehur në përqindje nga GDP duhet së paku të ndajë 6% të tij” – tregoi deputeti i AAK-së.

Në bazë të një analize të ekspertëve të Bankës Botërore dhe të të dhënave nga trusti pensional, Dreshaj tha se është përllogaritur se vlera financiare e realizuar nga kontributet e të siguruarve arrin 120-140 milionë euro. Tani, pas ngritjes së pagave, ai tha se kjo shumë mund të jetë më e lartë.

“Nëse kjo vlerë i shtohet buxhetit aktual të Kosovës, mund të përafrohet në vlerën e kërkuar nga OBSh. Ndikim të madh ka edhe joformaliteti rreth pagës reale dhe pagës së deklaruar. Sipas ligjit aktuale kontributet mujore janë rreth 7%, ulja e joformalitet ka ndikim direkt në të hyrat e fondit nga kontributet me këtë edhe mundësia për rritjen dhe mbulimin” – shtoi ai.

Ish-Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi pati thënë në prill të 2022-tës se ky ligj duhet të jetë funksional, të paktën pjesërisht brenda dy viteve.

Sipas Latifit ky ligj është obligativ pasi ndryshe nuk mund të realizohet dhe ndërtohet shëndetësia në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë, e cila tani udhëhiqet nga Arben Vitia në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, në nëntor 2023 kishte thënë se draft Projektligji për Sigurime Shëndetësore është në procedura finale.

Grupi punues për këtë projektligj ishte formuar në shkurt 2023 dhe ka përfunduar draftin në muajin korrik 2023.

MSh ka thënë se ka angazhuar edhe ekspertë ndërkombëtarë për mbështetje në hartimin e draftit të këtij projektligji.

Me Ligjin e ri për Sigurimet Shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë thotë se synon të transformojë mekanizmin e financimit të sistemit shëndetësor dhe të përshpejtojë arritjen e mbulimit shëndetësor universal dhe si rrjedhojë të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e kosovarëve dhe të zvogëlojë varfërinë e pabarazinë e shkaktuar nga shpenzimet shëndetësore.

Një pjesë e qytetarëve të Kosovës paguajnë sigurimin e tyre shëndetësor përmes kompanive private.