Lirohen katër zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, akuzohen për keqpërdorime në projektin e Autostradës së Gjilanit
Gjykata e Prishtinës i ka liruar nga akuzat zyrtarët e shtetit: Betim Reçica, Isa Berisha, Leonora Limani e Mirdit Emini, të cilët po akuzohen nga Prokuroria Speciale se në ndërtimin e Autostradës së Gjilanit kishin dëmtuar buxhetin publik me rreth 9.5 milionë euro.
“Nuk është provuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen nga Prokuroria Speciale, andaj të njëjtit lirohen nga akuza”- deklaroi gjyqtari Musa Konxheli.
Aktgjykimi është marrë nga trupi gjykues në përbërje të: Musa Konxheli – kryetar dhe anëtarët Valon Kurtaj e Lutfi Shala.
Sipas shpalljes së bërë më 07.05.2024, nuk është provuar se i akuzuari Betim Reçica i ka kryer veprat penale: Ushtrim i ndikimit; Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar dhe Shpëlarje e parave.
Gjithashtu nuk është vërtetuar se: Isa Berisha, Leonora Limani, Mirdit Emini, në cilësinë e komisionit rivlerësues të Ministrisë së Infrastrukturës për tenderin i cili ka qenë objekt shqyrtimi kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar për të cilën akuzohen nga prokuroria.
“Shpenzimet procedurale bien barrë e buxhetit të Kosovës”- deklaroi gjyqtari Musa Konxheli.
Ai gjithashtu qartësoi se pala e pakënaqur mund ta realizojë kërkesën pasurore juridike në kontest civil.
Ky aktgjykim është i ankimueshëm në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh prej ditës kur palët do ta pranojnë aktgjykimin me shkrim.
Në seancën e datës 08.04.2024 të akuzuarit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, kishin vendosur të mbrohen në heshtje kurse i akuzuari Reçica ishte deklaruar.
Dosja e Prokurorisë
Sipas aktakuzës së ngritur më datë 15.02.2021 nga prokurorja e rastit Habibe Salihi, i akuzuari Betim Reçica po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Shpëlarje të parave.
Aty thuhet se i njëjti në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës gjatë vitit 2017, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion” nga Tirana, ushtroi ndikim të drejtpërdrejt te Isa Berisha – kryetar i Komisionit Rivlerësues dhe Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtarë të këtij komisioni, që ishin vartës të tij.
Gjithnjë sipas prokurorisë ai kërkoi nga të njëjtit që kompaninë tiranase ta shpallnin fituese në tenderin për ndërtimin e Autostradës së Gjilanit, kryerja e punëve në Lot dy, edhe pse e njëjta nuk i përmbushte kriteret e tenderit më mirë se “OE & GP&, Papenburg Ardiani”. Madje në aktakuzë ceket se kjo e fundit ishte rekomanduar nga Komisioni Rivlerësuese sepse në shumën prej 1,630,487.45 euro kishte ofruar çmim më të ulët se “Gjoka Konstruktion”.
Kjo diferencë çmimi ishte edhe shuma e cila pretendohet nga prokuroria në lartësi të të cilës është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës.
Me këto veprime sipas prokurorisë i pandehuri ka kryer veprën penale ushtrim i ndikimit.
Më tutje Betim Reçica akuzohet se nga data 02.10.2019 e në vazhdimësi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij.
Sipas prokurorisë në këtë mënyrë ai ka nxjerrë vendimin për pagesën e zyrtarëve për shërbime kontraktuese, me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të bëhet kompensimi financiar (shtesa në pagë) për zyrtarët: V. B., S. H., I. Q., M. H., V. I., E. K., F. H., N. I., J. A., M. N., R. O., D. S., A. G. dhe B. G.
Sipas prokurorisë me këtë vendim i pandehuri e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumën prej 9,049.8 euro.
Në mënyrë të ngjashme pretendohet të ketë vepruar kur me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të bëhet kompensimi financiar për zyrtarë të angazhuar në Komisione për realizimin e Projekteve kapitale në Ministrinë e Infrastrukturës: përkatësisht për H. M. dhe A. B., thuhet të ketë dëmtuar buxhetin e shtetit për 8,838 Euro.
Pjesë e aktakuzës janë edhe pretendimet se më datë 14.08.2019 po në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, Reçica ka nxjerrë vendim, me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të bëhet kompozimi financiar (shtesa në pagë) për zyrtarët H. M. dhe A. B. në vlerë prej 250 euro në mënyrë retroaktive duke filluar që nga themelimi i marrëdhënies së punë që nga vitin 2010, me ç’rast sipas prokurorisë speciale ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 68,500.00 euro.
Tutje sipas prokurorisë Reçica, gjatë vitit 2019, mjetet financiare të cilat i kishte përfituar me aktivitet kriminal, me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme, ka blerë veturën Audi prodhuar në vitin 2019, të cilën veturë, me qëllim të fshehjes së të ardhurave të krijuara me vepër penale e ka regjistruar në emër te vëllait të tij Bekim Reçica.
Me ketë veprim sipas dosjes së organit ndjekës është kryer vepra penale ‘shpëlarje e parave’.
Aktakuza në pika të tjera të saj inkriminon të akuzuarit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.
Sipas prokurorisë Isa Berisha, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Rivlerësues në Ministrinë e Infrastrukturës, Leonora Limani dhe Mirdit Emini në cilësinë e anëtarëve të atij komisioni, të themeluar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për rivlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomik të paraqitura në tenderin për ndërtimin e Autostradës së Gjilanit, keqpërdorën detyrën zyrtare.
Kjo sepse ata nuk shpallën fitues operatorët ekonomik që ofertuan çmimin më të ulët që ishte kriteri kryesor për shpalljen e fituesve.
Kështu ata për Lot I shpallën Operatorin Ekonomik “Graniti Inginiering” & “Armendi & EX” që kishte ofertuar çmimin 18,468,426.58 euro e jo Operatorin Ekonomik “AL TRADE” SHPK & “SALILLARI”, që kishte ofertuar me çmimin 16,024,128.20 euro, i cili ishte më i ulët për 2,444,298.38 euro.
Për Lot II shpallën fitues Operatorin Ekonomik “GP&Papengburg Ardiani” e jo Operatorin Ekonomik “2A group & Alko IMPEX&ex – FIX&2T” që kishin ofertuar me çmimin 4,275,806.22 euro, i cili ishte më i ulët për 1,630,487.45 euro.
Për Lot IV shpallën fitues Operatorin Ekonomik “2A GROUP” & “ALKO IMPEX” & “EX-FIX” & “2T”, që kishin ofruar me çmimin 8,700,127.36 euro, e jo Operatorin Ekonomik,, PEVLAKU & “BASE JOOS KRASNIQI” që kishin ofertuar me çmimin 7,784,756.72 euro, i cili ishte më i ulët për 915,370.64 euro.
Për Lot VI shpallën fitues “KAG ASPHALT & BENI COM” e jo Operatorin Ekonomik “SALLAHU” i cili kishte ofruar dëshmi të mjaftueshme konform kërkesave të DT dhe njoftimit për kontratë.
Për Lot VII shpallën fitues “AL TRADE SHPK” & “SALILLARI” që kishin ofertuar me çmimin 7,247,086.87 euro, e jo Operatorin Ekonomik “KAG ASPHALT” & “BENI COM” që kishin ofertuar me çmimin 6,147,674.16 euro, i cili ishte më i ulët për 1,099,412.71 euro.
Për Lot VIII shpallën fitues Operatorin Ekonomik “JOOS KRASNIQI & PEVLAKU” që kishin ofertuar me çmimin 11,913,157.91 Euro, e jo Operatorin Ekonomik “RSM COMPANY” & “BENITA COMPANY” që kishin ofertuar me çmimin 11,571,113,42 euro, i cili ishte më i ulët për 342,044.49 euro.
Prokuroria Speciale ka përllogaritur se në total fitimi i Operatorëve Ekonomik ishte 88,618,511.95 euro, nga e cila shumë buxheti i Republikës së Kosovës, u dëmtua për 6,200,313.13 euro.
Sipas aktakuzës të pandehurit e lartcekur në bashkëveprim kanë kryer veprën penale: Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtarë.
Si pikë e fundit e dosjes është akuza është edhe një pretendim i prokurorisë për keqpërdorim të pozitës dhe autoriteti zyrtar për Betim Reçicën.
Aty elaborohet se i njëjti në cilësinë e Ushtruesit të detyrës se Drejtorit të Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion” nga Tirana, ka ndryshuar raportin Komisionit rivlerësues dhe OE “Gjoka Konstruktion” e ka shpall të përgjegjshëm.
Përkundër faktit se e ka ditur se ky operator nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për t`u shpallur i përgjegjshëm dhe duke pasur një operator tjetër i cili ka ofertuar çmim më të lirë, me ç’ rast e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumën prej 1,630,487,45 euro.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar KËTU – LINK