Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Elvir Azizi dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha Foto: Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në Facebook

A është e kundërligjshme marrëveshja mes Policisë dhe ShSKUK-së?

Policia e Kosovës dhe Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës nënshkruar para disa javësh një marrëveshje, përmes të cilës personeli policor do të marrë shërbime shëndetësore me prioritet. Në mungesë të sigurimeve shëndetësore, këto institucione kanë gjetur “zgjidhjen” përmes kësaj marrëveshjeje, e cila bie në kundërshtim me legjislacionin për shëndetësi, që parasheh qasje të barabartë në shërbimet shëndetësore për të gjithë qytetarët.

Përderisa puna e policisë konsiderohet si një ndër punët me rrezikshmërinë më të lartë, e sidomos me gjendjen e sigurisë në Kosovë kohëve të fundit, ata po vazhdojnë të punojnë pa sigurim shëndetësor e jetësor, pavarësisht premtimeve.

Derisa po përballeshin me kërkesa dhe protesta të Njësive elitare të policisë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Shëndetësisë vendosën që të në nënshkruanin një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar dhe Policisë së Kosovës.

Kjo marrëveshje obligon Qendrën Klinike Universitare dhe spitalet e përgjithshme që personelit policor t’u mundësojë përparësi duke i renditur në fillim të listave për vizita, shërbime diagnostike dhe në fillim të programit operativ, duke përfshirë edhe vendosjen me prioritet në të gjitha listat e pritjes.

Palët përmes kësaj marrëveshjeje janë pajtuar edhe për themelimin e një zyreje koordinuese brenda hapësirave të ShSKUK-së për personelin e Drejtorisë së Shërbimeve Shëndetësore në Policinë e Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje mes drejtorit të ShSKUK-së, Elvir Azizi dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, më 4 nëntor.

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve reagoi po atë ditë duke thënë se kjo marrëveshje është e kundërligjshme pasi që siç tha ai, sipas ligjit cdo qytetar ka të drejtë të qasjes së barabartë në shërbime shëndetësore pa asnjë lloj diskriminimi. 

Kodra këtë çështje e ka adresuar edhe te Avokati i Popullit dhe në drejtori e bord të ShSKUK-së.

Ku bazohet kjo marrëveshje?

KALLXO.com ka kërkuar qasje në këtë marrëveshje për të parë bazën e saj ligjore.

Marrëveshja është bazuar në disa akte ligjore e nënligjore të cilat e rregullojnë në përgjithësi funksionimin e ShSKUK-së dhe policisë, por asnjëra nuk parasheh ofrimin e shërbimeve shëndetësore me prioritet ndaj një kategorie të caktuar, që në këtë rast janë Policia e Kosovës.

Në fakt, Ligji për Shëndetësi në të cilin është bazuar kjo marrëveshje, parasheh që të gjithë qytetarët dhe banorët kanë të drejtë të qasjes së barabartë në kujdesin shëndetësor.

Ligji për Shëndetësi është themeli i legjislacionit për shëndetësi në Kosovë, i cili rregullon funksionimin e këtij sistemi me qëllim ruajtjen dhe përparimin e shëndetit të qytetarëve nëpërmjet promovimit të shëndetit, aktiviteteve parandaluese, dhe ofrimit të shërbimeve gjithëpërfshirëse dhe kualitative të kujdesit shëndetësor. 

Dispozita e parë në të cilën kjo marrëveshje është bazuar është paragrafi i tretë i nenit 62 të Ligjit për Shëndetësi, i cili thotë se “SHSKUK ka autonomi ligjore të personit juridik, me të drejta, detyrime, dhe përgjegjësi të veçanta për zbatim të këtij ligji dhe akteve nën-ligjore të nxjerra nga Ministria.”

Kjo marrëveshje është bazuar edhe në nenet 13 të statuteve të ShSKUK-së dhe

QKUK-së, të cilat tregojnë se nga kush udhëhiqen dhe menaxhohen këto institucione. 

Si bazë e marrëveshjes janë cekur edhe neni 46 i Ligjit për Policinë, Rregullorja për personel dhe administratë të Policisë së Kosovës dhe Udhëzimi Administrativ mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës.

Neni 46 i Ligjit për Policinë parasheh të drejtat dhe kufizimet e personelit policor. Në

fakt, ky nen thotë se personeli policor gëzon të drejta të njëjta sikurse qytetarët e tjerë, përfshirë këtu edhe beneficionet shëndetësore.

“Personeli policor, gëzon të drejta të njëjta civile dhe politike sikurse qytetarët e tjerë, duke iu nënshtruar vetëm kufizimeve në këtë ligj që janë të nevojshme për ushtrimin efektiv të autorizimeve dhe detyrave policore në shoqërinë demokratike. Personeli policor gëzon të drejta të njëjta sociale dhe ekonomike sikurse shërbyesit e tjerë publikë, siç janë e drejta për të organizuar apo për të marrë pjesë në organizata përfaqësuese dhe t’i pranojnë shpërblimet e duhura, sigurimin social, ndihmën juridike, benificione shëndetësore dhe benificione të tjera për punën e tyre” – thotë ky nen.

Rregullorja për personel dhe administratë të Policisë së Kosovë përcakton rregullat e sjelljes, betimin zyrtar, detyrat dhe përgjegjësitë e personelit, trajnimet, bartjen e uniformës dhe standardin e veshjes me rroba civile, të drejtat dhe detyrimet me rastin e shfrytëzimit të automjeteve zyrtare, udhëtimet zyrtare, pajisja dhe përdorimi i pajisjeve tekniko/teknologjike dhe komunikuese, bashkëpunimi me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, vlerësimi i pasurisë së Policisë, donacionet, shfrytëzimi i parasë së gatshme dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me funksionimin e personelit të Policisë së Kosovës.

Me Udhëzimin Administrativ mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës rregullohet marrëdhënia e punës për personelin e policisë së Koosvës si: themelimi i saj, të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga ajo, kriteret për punësim, procedurat e rekrutimit dhe seleksionimit, sistemimin dhe avancimin e punonjësve në vendet e punës, orarin e punës, pagat, kompensimet, shtesat, beneficionet, pushimet, pezullimin, ndërprerjen e marrëdhënies së punës si dhe standardin e uniformës dhe veshje me rroba civile.

Pas bazës ligjore, në fillim të kësaj marrëveshjeje është shkruar se marrëveshja bazohet edhe në rrethanat në të cilat punojnë dhe angazhohen personeli polcior në aspektin e rrezikut për jetën, shëdnetin dhe nevojave që ka dhe duke pasur parasysh nevojën për thellimin e bashkëpunimit në koordinimin sa më efektiv në fushën e mbrojtes së shëndetit të qytetarëve.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve kundër marrëveshjes

Besim Kodra në emër të Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve ka reaguar menjëherë pas publikimit të marrëveshjes duke thënë se ajo është e kundërligjshme.

Kodra e ka adresuar ankesën e tij në adresë të Bordit të ShSKUK-së duke kërkuar diskutimin dhe anulimin e kësaj marrëveshjeje.

Ai në ankesë ka cekur se marrëveshja është në kundërshtim me nenin 4 të Ligjit për Shëndetësinë, i cili parahseh qasje të barabartë në kujdesin shëndetësor nga të gjithë qytetarët dhe me nenin 4 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e banorëve të Kosovës në sistemin shëndetësor.

Kjo dispozitë thotë se kujdesi shëndetësor duhet të ofrohet pa asnjë diskriminim.

“Ofrimi i shërbimeve është pa asnjë diskriminim, atëhere kur gjatë ofrimit të shërbimeve shëndetësore banorët nuk janë të diskriminuar në bazë të pozitës së

tyre shoqërore, pikëpamjeve politike, prejardhjes, kombësisë, religjionit, gjinisë, preferencave seksuale, moshës, gjendjes martesore, paaftësisë trupore ose mendore, kualifikimit ose mbi çfarëdo baze tjetër, e cila nuk është e lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore” – thotë paragrafi i 5 i këtij neni.

Besim Kodra ka përmendur edhe Udhëzimin Administrativ Karta e të Drejtave dhe Përgjegjësive të Pacientëve e cila po ashtu parasheh që çdo qytetari duhet t’i sigurohet qasje e barabartë në shërbime shëndetësore pa asnjë lloj diskriminimi.

Ankesën e tij lidhur me këtë dokument, ai e ka dorëzuar edhe te Avokati i Popullit, prej ku thotë se nuk ka pranuar ende përgjigje, edhe pas më shumë se dy javë. 

Për Kodrën, mospërgjigja e Avokatit të Popullit është shqetësuese.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të Institucionit të Avokatit të Popullit lidhur me këtë çështje. Ky institucion tha se është duke shqyrtuar këtë ankesë të pranuar para disa ditësh dhe rasti është duke u shqyrtuar.

“Rasti është duke u shqyrtuar sipas Ligjit për Avokatin e Popullit dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Punës dhe se në këtë faze nuk mund të dalim me përfundime” – u përgjigj Petrit Çollaku, Zyrtar për komunikim dhe qasje në dokumente publike në Institucionin e Avokatit të Popullit, më 21 nëntor.

Këndvështrimet e ndryshme për këtë marrëveshje

Aktorë të ndryshëm të shoqërisë e politikës po e shohin nga kënde të ndryshme këtë marrëveshje. 

“E kundërligjshme”, “e dobishme”, “sa për sy e faqe”, “masë improvizuese” janë disa prej komenteve për marrëveshjen.

Ish-Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, i cili ka udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë në të kaluarën e quajti këtë marrëveshje, një masë improvizuese e cila paraqet shkelje ligjore dhe hap rrugën për pabarazi në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe pakënaqësi në shoqëri.

“Policia e Kosovës ashtu si edhe të gjithë qytetarët e vendit kanë nevojë për sigurimin publik shëndetësor të garantuar me Kushtetutën e vendit dhe Ligjin për sigurimin shëndetësor që është miratuar gjate mandatit tim si ministër i shëndetësisë dhe qe është ne fuqi prej vitit 2014” – tha Agani për KALLXO.com.

Ai kërkoi që të zbatohet legjislacioni në fuqi dhe të vazhdojnë reforma në shëndetësi, që tha se është ndërprerë 10 vite më parë.

Eksperti i çështjeve ligjore dhe kushtetuese, Mazllum Baraliu ndonëse tha se marrëveshja nuk është në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën, problem kryesor ai po e sheh mungesën e sigurimeve shëndetësore.

“Në qoftë se një marrëveshje çfarë është kjo, është bërë për shkak të emergjencës dhe gjendjes se Policia e Kosovës fatkeqësisht sikurse edhe gjithë popullsia e Kosovës nuk ka sigurime shëndetësore, aty është diskriminimi” – tha Baraliu.

Profesori shtoi se Ligji për Sigurimin Shëndetësor ka hyrë në fuqi më 1 janar 2015, por nuk është zbatuar ende. 

Mungesën e sigurimeve shëndetësore, ai e sheh si një plagë dhe vakum që shkakton edhe probleme të tjera.

Po të kishte sigurim shëndetësor, Baraliu tha se nuk do të kishte nevojë që policët, që sipas tij janë më të rrezikuarit, por nuk trajtohen denjësisht, të trajtohen ndryshe. Prandaj, ai nuk e sheh të arsyeshme që kjo marrëveshje të quhet diskriminuese.

Mendime të ndryshme kanë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës. Përderisa pozita po e sheh si hap të duhur për të përkrahur policinë, opozita nuk po e përkrah dhe aq.

Rashit Qalaj, i cili është anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe ish-drejtor i policisë tha se sheh disa të mira, por edhe disa gjëra të kontestueshme ligjërisht në këtë marrëveshje.

Deputeti i PDK-së kujtoi se kur ka qenë drejtor i policisë kishte lidhur marrëveshje me drejtorin e atëhershëm të ShSKUK-së, por tha se nuk ka pasur të bëjë me prioritizim të dikujt.

“Edhe unë sa kam qenë drejtor i policisë në vitin 2019 apo 2020 kam lidhur një marrëveshje me drejtorin e atëhershëm të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, por marrëveshja ka pas të bëjë me kontrollimin e aplikantëve për kadetë, meqenëse në të kaluarën ky kontrollim është bërë në një klinikë private e cila ka qenë e kontaktuar. Me përfundimin e kësaj kontrate, atëherë e kemi arritë një marrëveshje për kontrollimin e aplikantëve për kadet .Mirëpo, nuk ka pas të bëjë fare që policët për shembull të mos presin në rend siç po dëgjoj që është me marrëveshjen e re” – tha Qalaj për KALLXO.com.

Ai tha se kjo marrëveshje është e dobishme për policinë për shkak të mungesës së sigurimeve shëndetësore, por tha se e sheh shumë kontestuese dhe të papranueshme që policët të kenë prioritet gjatë hyrjes, e të mos presin fare, përderisa qytetarët e tjerë presin.

“Mendoj që është në kundërshtim me etikën e policit, mirëpo edhe nga aspekti ligjor mendoj që është mjaft problematik” – shtoi Qalaj.

Edhe kolegu i tij nga e njëjta parti, Bekim Haxhiu, i cili është anëtar i Komisionit për Shëndetësi kishte thënë se kjo është e kundërligjshme dhe e kishte popullorçe e kishte quajtur “dushk për gogla”.

Deputeti tjetër opozitar, po ashtu pjesë e Komisionit për Shëndetësi, Shemsedin Dreshaj nga AAK po e sheh këtë marrëveshje vetëm si diçka mediatike.

“Kjo marrëveshje është e panevojshme për shkak se secili pacient që ka kërku ndihmë në QKUK është trajtu me prioritet, në veçanti strukturat e mbrojtjes së vendit. Këta kanë pas trajtim me prioritet edhe ma herët, kjo ka qenë vetëm diçka mediatike, sa me thanë po bojmë diçka” – tha Dreshaj në një përgjigje për KALLXO.com.

Dreshaj tha se trajtimi adekuat i mjekëve vjen nga Hipokrati dhe nuk ka nevojë për ndërhyrje nga askush, e aq më pak nga politika.

Premtimi i kahmotshëm për sigurimet shëndetësore, ende i parealizuar 24-vjetori i themelimit të saj, edhe sivjet e gjeti Policinë e Kosovës pa sigurim shëndetësor e jetësor.

Në vijë të parë të frontit për të luftuar krimin, që nga themelimi i Policisë së Kosovës gjatë punës së tyre në detyrë kanë rënë gjithsej 22 policë. Rasti i fundit, rreshteri Afrim Bunjaku që vdiq pas sulmit terrorsit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. 

Të shumta kanë qenë premtimet për të përmirësuar kushtet e punës së policisë, e pjesëtarëve të kësaj të fundit sa e sa herë iu premtua sigurimi shëndetësor e jetësor.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ishte pyetur më 6 shtator për sigurimin shëndetësor për policët.

“Të gjitha këto janë në kuadër të angazhimeve tona për të plotësuar jo vetëm për Policinë e Kosovës, por për të gjithë” – pati thënë shkurt ai.

Ligji për Sigurimin Shëndetësor është në fuqi që nga viti 2014, por ai asnjëherë nuk u zbatua në plotëni.

Ky ligj, ndër të tjera ka për qëllim përmirësimin e indikatorëve shëndetësor dhe sigurimin e mbrojtjes financiare nga varfërimi për shkak të shpenzimeve të mëdha për kujdesin shëndetësor, nëpërmjet themelimit dhe rregullimit të sistemit publik të sigurimit shëndetësor.

Ish-Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi pati thënë në prill të 2022-tës se ky ligj duhet të jetë funksional, të paktën pjesërisht brenda dy viteve.

Sipas Latifit ky ligj është obligativ pasi ndryshe nuk mund të realizohet dhe ndërtohet shëndetësia në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë, e cila tani udhëhiqet nga Arben Vitia në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com tha se draft Projektligji për Sigurime Shëndetësore është në procedura finale.

Grupi punues për këtë projektligj ishte formuar në shkurt 2023 dhe ka përfunduar draftin në muajin korrik 2023.

MSh tha se ka angazhuar edhe ekspert ndërkombëtarë për mbështetje në hartimin e draftit të këtij projektligji.

Me Ligjin e ri për Sigurimet Shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë thotë se synon të transformojë mekanizmin e financimit të sistemit shëndetësor dhe të përshpejtojë arritjen e mbulimit shëndetësor universal dhe si rrjedhojë të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e kosovarëve dhe të zvogëlojë varfërinë e pabarazinë e shkaktuar nga shpenzimet shëndetësore.

Një pjesë e qytetarëve të Kosovës paguajnë sigurimin e tyre shëndetësor përmes kompanive private.

Marrëveshja e arritur që mundëson dhëninen e shërbimeve shëndetësore me prioritet për pjesëtarët e Policisë së Kosovë.