Presidentja Vjosa Osmani në vizitën zyrtare në Teksas të ShBA-së | Foto: ZPRK

Osmani në Samitin SHBA - Afrikë flet për bashkëpunimin e suksesshëm të Kosovës me MCC-në

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në Samitin SHBA- Afrikë, në eventin qendror të mbajtur me rastin e 20- vjetorit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në të cilën ka prezantuar sukseset e Kosovës dhe bashkëpunimin e suksesshëm me MCC-në.

Zyra e Presidentes ka bërë të ditur përmes një njoftimi gjatë vizitës zyrtare në Teksas të SHBA-ve, në eventin qendror me rastin e 20- vjetorit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), ka prezantuar rrugëtimin e deritashëm të Kosovës, duke potencuar sukseset e në të cilat SHBA-të kanë luajtur një rol vendimtar.

Me pjesëmarrjen e Presidentit George W. Bush dhe në prani të liderëve afrikanë, u diskutua për sukseset 20 vjeçare të punës transformuese të MCC-së.

Sipas njoftimit, në sesionin special të moderuar nga senatori republikan Mike Johanns, presidentja Osmani ndër të tjera foli për partneritetin e jashtëzakonshëm me SHBA-të, me ç’rast e potencoi në veçanti edhe bashkëpunimin e suksesshëm me MCC-në.

Presidentja Osmani, sipas njoftimit, bëri një falënderim të posaçëm për partneritetin e shkëlqyeshëm me MCC-në, si dhe shprehu mirënjohje të thellë për lidershipin e Presidentit Bush, trashëgimia e të cilit, sipas saj po reflektohet më së miri sot nëpërmjet punës së MCC-së.

Presidentja Osmani ka theksuar se SHBA-të kanë luajtur rol përcaktues në procesin e pavarësimit të Kosovës.

“Sipas Presidentes Osmani, ky partneritet është dëshmi e marrëdhënieve strategjike dhe historike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve. Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtësor në procesin e reformave të shumta, me theks të veçantë në drejtësi dhe sundim të ligjit. Në adresimin e saj, Presidentja Osmani ka folur për hapat e bërë nga Kosova në nxitjen e rritjes ekonomike dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm” – thuhet mes tjerash në njoftim.

“Projektet ambicioze reflektojnë një vizion afatgjatë për Kosovën, duke siguruar që partneriteti ynë me MCC-në të çojë në ndryshime pozitive dhe të qëndrueshme” – citohet të ketë thënën presidentja Osmani.