Ferizi: Disa regjistruese të popullsisë kanë raportuar se po përballen me ngacmim dhe intimidim gjatë procesit

Nerimane Ferizi nga organizata ‘Fourth Wave’ ka thënë se tri regjistruese të popullsisë, pjesë e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kanë raportuar se janë ngacmuar gjatë kryerjes së procesit të regjistrimit.

“Sot kemi dalë për me e zhvillu këtë aksion pasi që vajzat e kanë raportu tek ne po përballen me intimidim dhe ngacmim gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë. Janë tri të cilat e kanë raportu tek ne. Jo, nuk e kanë raportu në Polici pasi siç dihet në Kosovë frikësohen dhe nuk e kanë vullnetin”- tha ajo.

Gjatë konferencës për media të Agjencisë për Statistika, aktivistja Nerimani për ngacmimin e regjistruesve pyeti kryeshefin e këtij institucioni.

“Çka na shqetësoi neve është përgjigja e zotërisë në fjalë (kryeshefit të ASK-së), i cili tha se regjistrueset munden me e marrë motrën, vëllanë apo prindin me vete. Këtë do të duhej ta siguronte shteti dhe jo ato”- tha aktivistja Ferizi.

Kryeshefi i ASK-së, Avni Kastrati tha se zyrtarisht nuk ka pasur raportime për ngacmime të regjistruesve por që ka dëgjuar për këto raste.

“Zyrtarisht nuk kemi pas raportime për ngacmime të vajzave regjistruese. Kam dëgju edhe unë disa thashetheme këso, por nuk kemi zyrtarisht me protokoll. Gjatë trajnimit ka pasur një pjesë të veçantë është tregu mënyra se kur e sheh të rrezikshme me hy në shtëpi mos me hy vet, janë trajnu për këtë nivel. Ka qenë modul i veçantë se edhe meshkujt mund të ngacmohen. Po e përsërisë nuk kemi zyrtarisht njoftim nga tereni për raste të tilla”- tha ai.

Gjatë kësaj konference, Kastrati shpalosi të dhënat e fundit nga procesi i regjistrimit të popullsisë.

1 milion e 204 mijë e 560 është numri i qytetarëve të regjistruar deri më tani sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Kastrati ka thënë se hezitimi nga komuniteti serb për t’u regjistruar është ende i pranishëm.

Kastrati: Mbi 1 milion e 200 mijë banorë të regjistruar deri më tani