Marrëveshje për Subvencionimin e 130 Vendeve të Punës

Një marrëveshje për subvencionimin e 130 vendeve të punës është nënshkruar sot nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ambasadori britanik dhe përfaqësuesi i UNDP-së.

Abrashi ka thënë se kështu ky vit po nisë me prioritetin e Ministrisë që drejton ai – krijimin e vendeve të reja të punës, aftësimin dhe riaftësimin e të rinjve për t’i përgatitur ata për tregun e punës.

“Ky projekt synon që në një periudhë dymbëdhjetë mujore të fillojmë me aftësimin profesional, pastaj edhe subvencionimin e pagave, praktikë kjo që ka funksionuar shumë mirë vitin që shkoi. Me këtë ne synojmë t’i aftësojmë dhe integrojmë punëkërkuesit në tregun e punës”, ka thënë ministri, teksa ka shtuar se projekti është i hapur për të gjithë, por ka preferencë punëkërkuesit e gjinisë femërore dhe sektorët të cilët Ministria dhe partnerët e saj i konsiderojnë sektorë që mund të gjenerojnë vende të reja të qëndrueshme të punës, sikur përpunimi i drurit, metalit, tekstilit, teknologjisë informative dhe prodhimet bujqësore.

Sipas ministrit, ky pilot-projekt fillon me 130 punëtorë, të cilëve do t’u subvencionohen pagat për 12 muaj.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, tha se papunësia në Kosovë është shumë e lartë, dhe të gjitha sondazhet tregojnë se papunësia është shqetësimi i parë ose i dytë këtu.

“Për ne, Ambasadën Britanike, dhe për mua personalisht, zhvillimi ekonomik dhe punësimi është prioriteti më i rëndësishëm, sepse është në interes jo vetëm të Kosovës, por edhe të Britanisë, sepse me këtë do të kemi paqe, stabilitet dhe prosperitet. Ashtu siç ju kërkoni një Kosovë prosperuese dhe të zhvilluar edhe ne si miq që jemi këtu do të vazhdojmë të ndihmojmë institucionet e Kosovës për të krijuar një Kosovë më të mirë”, tha ambasadori O’Connell.

Ndërkaq përfaqësuesi i UNDP-së, Andrew Rusell, theksoi se duhet të krijohet një situatë shumë më e mirë e punësimit në Kosovë dhe një ekonomi e qëndrueshme që bazohet në burimet kosovare, të cilat ekzistojnë.

“Rinia e Kosovës ka kapacitete të mëdha që duhet të përdoren për rritjen e ekonomisë dhe dëshirojmë të jemi pjesë e kësaj. Jemi duke punuar të ndihmojmë ambientin ku punoni”, tha Rusell, teksa shtoi se ekziston një partneritet i shkëlqyeshëm me Ministrinë e Punës, me të cilën kanë bërë një punë të mirë dhe se tani duhet vetëm të priten rezultatet.