Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Anketa e UNDP-së: Cilat janë tri problemet më të mëdha në Kosovë sipas qytetarëve?
‘Pulsi publik’ i prezantuar nga UNDP në Kosovë ka treguar cilat janë problemet më të mëdha në Kosovë sipas qytetarëve.
Varfëria, papunësia dhe çmimet për artikujt e domosdoshëm janë tri çështjet kryesore të raportuara në këtë anketë.
Sipas këtij raporti, 28.6% e qytetarëve të anketuar e shohin varfërinë si problemin më të madh të vendit aktualisht.
Perceptimi për problemin me varfërinë u rrit për 7.5% krahasuar me anketën e muajit prill 2023.
Problemi i dytë më i madh për Kosovën sipas qytetarëve është papunësia. Perceptimi i qytetarëve për këtë problem është 19.2%. Ndryshe kjo nga një anketë tjetër në muajin prill, kur qytetarët papunësinë e shihnin si problemin kryesor të Kosovës me 32.7%.
Ndërsa, si problem i tretë janë renditur çmimet e artikujve të domosdoshëm me 8.9%.
Shërbimet shëndetësore për qytetarët shihen si problemi i katërt, me 8%.
Një tjetër problem janë parë edhe problemet e hapësirës urbane (3.8%).
E korrupsionin, qytetarët e shohin si problemin e shtatë më të madh në Kosovë, me 2.6%.
Anketa e UNDP-së është realizuar nga 08.11.2023 deri më 27.11.2023 me 1,300 të anketuar mbi 18-vjeçarë.