Enver Sekiraqa i akuzuar për nxitje në vrasje të Tirumf Rizës (30.08.2023) - FOTO: Laurant Berisha- KALLXO
Dënohet për herë të tretë Enver Sekiraqa
Enver Sekiraqa është shpallur fajtor dhe është dënuar me 25 vjet burg nga Gjykata e Prishtinës për shtytjen në vrasjen e policit Triumf Riza në vitin 2007.
Në shpalljen e aktgjykimit me datë 03.05.2024, Sekiraqa nuk ishte prezent në sallë.
I pranishëm gjatë shqiptimit të dënimit ishte babai i Triumf Rizës, Shefqet Riza.
Vendimi është marrë nga trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, i kryesuar nga Agim Kuqi dhe me anëtarët Ngadhnjim Arrni e Medije Bytyqi.
Kjo përbën herën e tretë që Sekiraqa dënohet për urdhërimin e vrasjes së Rizës 17 vite më parë. Për herë të parë në vitin 2016 Sekiraqa ishte dënuar me 36 vite burgim kurse sërish në vitin 2019 me 20 vite burgim.
Dorasi i shpallur fajtor për vrasjen e Rizës është Arben Berisha i cili për këtë vepër u dënua të vuaj 35 vite burgim.
Polici Triumf Riza është vrarë më 30.08.2007 në Prishtinë.