Dita e Tokës shënohet përmes instalacionit “Muri apo premtimi i anuar"

“Unë të premtoj që do ta mbaj tokën pastër”, “Unë të premtoj që nuk do të hedh mbeturina dhe do t’i mbledh ato”, “Të lutem pastroje ambientin!” – ishin disa prej premtimeve e mesazheve që fëmijët shkruan sot, më 22.04.2024, në instalacionin që pasqyron figurativisht murin e pakalueshëm që do të krijohet si pasojë e ndotjes së planetit.

Kjo vepër arti e quajtur “Muri apo premtimi i anuar” u vendos nga UNDP në bashkëpunim me Presidencën e Kosovës dhe Ministrinë e Mjedisit në kampusin e Universitetit të Prishtinës sot në Ditën e Tokës që këtë vit ka moton “Toka kundër Plastikës”. Ajo u krijua nga artisti bashkëkohor Driton Selmani.

Në shënimin e kësaj dite u bë thirrje për mbrojtjen e ambientit, përmes përdorimit më të paktë të plastikës, riciklimit të saj e jo vetëm.

Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, njoftoi për krijimin e task-forcës së gjelbër që do të punojë në mbrojtjen e ambientit.

“Sot morëm vendim për të themeluar task-forcën e gjelbër e që ministritë përgjegjëse do të jenë shumë më mirë të koordinuara në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme, respektivisht me Policinë e Kosovës, në mënyrë që në lumenjtë tanë, krahas projektit që e kemi filluar me pastrimin e tyre, t’i mbrojmë edhe nga degradimet e tjera, qysh është eksploatimi i zhavorrit në lumenj e po ashtu t’i mbrojmë edhe parqet tona nacionale nga ndërtimet e egra në zonat strikte dhe të merren me veprime të tjera ilegale që janë gjithandej Kosovës që degradojnë natyrën” – tha ai.

Aliu tha se duhet mobilizim masiv që puna të ketë efekt më të madh e sipas tij, pavarësisht veprimeve të inspektorateve, koordinimi nuk ka qenë i mjaftueshëm dhe nuk është arrirë rezultati i dëshiruar.

Fjalim mbajti edhe përfaqësuesi i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros, i cili dha disa fakte interesante për të ilustruar gjendjen e planetit sa i përket plastikës.

“A e dini se tani janë 5.25 trilionë, e përsëris trilionë copëza të plastikës duke notuar në oqeane përderisa ne flasim? Ky numër ka tejkaluar numrin e yjeve në “Rrugën e Qumështit” për 500 herë më shumë” – tha Queiros, teksa shtoi se deri në vitin 2030 do të ketë më shumë plastikë sesa peshq në det, nëse vazhdohet me këtë ritëm të përdorimit të plastikës.

Në një deklaratë për KALLXO.com ai tregoi se cili është mesazhi që synohet të përcillet përmes këtij muri.

“(Muri) Ka për qëllim të prezantojë luftën që kemi kundër plastikës, luftën që kemi për klimën tonë. Dhe çka mundohet të bëjë është të marrë vëmendjen e secilit se çfarë mund të bëjë plastika, se çfarë mund të bëjë prodhimi dhe konsumi i paqëndrueshëm”.

Duke mos ricikluar e duke mos u kujdesur për planetin, ai thotë se gradualisht do të kemi përballë një mur të kalueshëm.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, folën për hapat e ndërmarrë nga Qeveria për mbrojtjen e Tokës.

Peci përmendi miratimin e Ligjit për Pyjet, Strategjinë për zhvillimin e pyjeve 2022-2030, Planin e veprimit të strategjisë 2022-2024, task-forcën për mbrojtjen dhe shfrytëzimin e ligjshëm të pyjeve si dhe Strategjinë për komunikim dhe informim në sektorin e pylltarisë.

“Si rezultat i këtyre veprimeve kemi shënuar rënie të dukshme të numrit të zjarreve në pyje në krahasim me vitet paraprake. Nëse e krahasojmë vitin 2022 ku kishim 476 raste të vënies së zjarreve, në vitin 2023 kemi 57” – shtoi ai.

E Nagavci tha se Dita e Tokës dhe kujdesi ndaj planetit duhet të jetë i çdoditshëm e i çdovitshëm.

Përbërja e instalacionit të krijuar është thuajse nga gjithçka e riciklueshme, nga qeset e bahçes dhe drunjtë. Krijuesi i saj, Driton Selmani tregoi se për këtë ka pasur shtytje të madhe nga UNDP.

“Sot jam shumë i lumtur me tregu që gjithçka është e përbërë prej dy materieve, është plastika ose qesja e bahçes që e kam marrë prej bahçes së mamit tim dhe janë copëza të paletave edhe drunjve mbrapa, që gjithçka është dru i ripërdorur, jo dru i ri” – tha ai për KALLXO.com.

“Qysh po doket jo aq i bukur jashtë, është edhe brenda. Nuk është struktura më e pastër në botë, por realisht ndoshta është një mesazh i mirë se gati gjithçka që prodhojmë e ka një vend në riciklim edhe duhemi me mendu ne për tjerët” – shtoi Selmani.

Për të kontribuar në vetëdijesimin e njerëzve rreth kësaj teme edhe Posta e Kosovës ka krijuar pulla postare me mbishkrimin “Mbrojtja e ambientit”.

Dita e Tokës shënohet çdo 22 prill që nga viti 1970 që bëhet për të demonstruar mbështetjen për mbrojtjen e mjedisit.