Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti

"Pulsi publik" i UNDP-së: Bie kënaqshmëria e qytetarëve me punën e Kurtit, Osmanit e Konjufcës

Sipas një raporti të prezantuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, kënaqshmëria e qytetarëve me punën e kryeministrit Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca ka pësuar rënie.

Në krahasim me prillin e vitit 2023, të dhënat e nëntorit të 2023 tregojnë një ulje të kënaqshmërisë së qytetarëve karshi treshes Kurti – Osmani – Konjufca.

Kënaqshmëria me punën e kryeministrit Kurti ka rënë nga 51.55% në 48.9%.

Ajo për presidenten Osmani ka rënë nga 60.3% në 56.2%.

E kënaqshmëria me punën e kryeparlamentarit Konjufca ka rënë nga 58.3% në 52.2%.

Anketa e opinionit e nëntorit 2023 ka treguar se mesatarisht 42.44% e të anketuarve ishin të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të Kosovës krahasuar me 45.76% në prill 2023.

Po ashtu, sipas ‘pulsit publik’, një numër më i ulët i të anketuarve ishin të gatshëm të protestonin për arsye politike në nëntor 2023 krahasuar me prillin 2023.

“Gjithsej 30.5% e serbëve të Kosovës dhe 23% e pjesëtarëve të komuniteteve tjera të Kosovës ishin të gatshëm të protestonin për arsye politike në nëntor 2023, krahasuar me përkatësisht 40.5% dhe 29.5% në prill 2023”- thuhet në raportin e UNDP-së.

Derisa puna e liderëve më të lartë shtetërorë ka shënuar rënie në kënaqshmëri, në sistemin e drejtësisë ajo është rritur.

Kënaqshmëria me punën e gjykatave është rritur për 0.3%, ndërsa me atë të prokurorisë për 1%.

Anketa e UNDP-së është realizuar nga 08.11.2023 deri më 27.11.2023 me 1,300 të anketuar mbi 18-vjeç.