Ilustrim

Raporti i UNDP-së: Çka mendojnë qytetarët, cili institucion publik në Kosovë është më i korruptuari?

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka realizuar një anketë me 1,300 qytetarë, të cilët janë pyetur se cili institucion besojnë se është më i korruptuari në vend.

‘Pulsi publik’ i nëntorit të vitit 2023 tregon se 39% e të anketuarve besojnë që Dogana e Kosovës ka prani të korrupsionit në shkallë të gjerë.

Qytetarët e anketuar e shohin Agjencinë Kosovare të Privatizimit si institucionin e dytë publik më të korruptuar në vend, me 30.7%, pak më mirë se në muajin prill të 2023, në të cilin perceptimi për korrupsion ishte 33.7%.

Për disa institucione publike, perceptimi i qytetarëve për korrupsion ndryshoi brenda shtatë muajve.

Për Policinë e Kosovës perceptimi i qytetarëve u rrit nga 7.3% në muajin prill 2023, në 17.9% në muajin nëntor 2023.

Qytetarët besojnë se korrupsioni u rrit edhe në komunat e Kosovës, nga 15.8% sa ishte perceptimi në prill 2023, në 21.7% në nëntor 2023.

Sipas ‘pulsit publik’ të UNDP-së, perceptimi i qytetarëve për korrupsion u rrit edhe në arsim, në shkolla dhe në universitete, nga 16.9% në prill 2023 në 17.2% në nëntor 2023.

Anketa e UNDP-së është realizuar nga 08.11.2023 deri më 27.11.2023 me 1,300 të anketuar mbi 18-vjeçarë.