Takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes të kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq | Foto: BE
Anketa: A besojnë qytetarët e Kosovës në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë?
UNDP në Kosovë ka realizuar një anketë me 1,300 qytetarë, të cilët janë pyetur për marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Të dhënat kanë treguar rritje të përqindjes së personave që besonin se marrëveshja do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve të Kosovës.
Në raport thuhet se gjithsej 60% e të anketuarve pohuan se marrëveshja do të ketë efekt pozitiv, krahasuar me 58% në prill 2023.
“29.4% e të anketuarve janë shprehur se besojnë se marrëveshja do të ketë efekt pozitiv deri diku, 3.9% janë shprehur se nuk do të ketë, krahasuar me përkatësisht 29.9% dhe 7.5% në prill 2023”- ka treguar tutje ‘pulsi publik’.
Ndërsa tutje thuhet se 39.1% e të anketuarve pohuan se besojnë se marrëveshja do të kontribuojë për paqen afatgjatë në Kosovë, 36.9% pohuan se do të kontribuojë deri diku, 16.4% se nuk do të kontribuojë, dhe 7.9% e të anketuarve nuk e dinin ose refuzuan të përgjigjeshin.
Kosova dhe Serbia më 27.02.2023 në Bruksel ishin dakorduar për marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve që në publik njihej si Plani franko-gjerman, përderisa më 18.03.2023 në Ohër u dakorduan edhe për aneksin e marrëveshjes që parasheh hapat për zbatimin e saj.
Kjo marrëveshje, e njohur edhe si propozimi europian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.
Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.