Mbledhja përkujtimore për Ramiz Kelmendin | Foto: Kallxo.com

Kujtimi për Optimistin e ‘Pandreqshëm’ dhe Idealistin e Pathyeshëm

Krahas njerëzve të kulturës, familjarëve të shkrimtarit të ndjerë Ramiz Kelmendi dhe qytetarëve tjerë, në mbledhjen komemorative morën pjesë edhe kryeministri Isa Mustafa dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se ndarja nga jeta e Ramiz Kelmendit është humbje e madhe për gazetarinë, letërsinë dhe artin.

“Sot Kosova ka humbur një njeri të dijes, një shkrimtar të dalluar, një simbol të gazetarisë kulmore të Kosovës,” tha i pari qeverisë, Isa Mustafa.

Kadri Veseli, kryetari i Kuvendit të Kosovës në mbledhjen komemorative tha se ne humbëm një personalitet shumëdimensional të shoqërisë sonë, një intelektual që me përkushtimin e tij jetësor i dha aq shumë vendit të tij.

Veseli tha se Ramiz Kelmendi “gjithmonë mbeti i tillë-optimist i pandreqshëm dhe idealist i pathyeshëm”.

Migjen Kelmendi, djali i shkrimtarit të ndjerë, pasi falënderoi të pranishmit në akademi tha se  “babën e përkufizon fjala dashni”.

Në fund aktori Çun Lajçi e përfundoi mbledhjen komemorative me një pikë artistike kushtuar profesorit të ndjerë.

Ramiz Kelmendi vdiq mbrëmë në moshën 86 vjeçare, ndërsa në karrierën e tij si shkrimtar shkroi një varg veprash letrare, duke përfshirë romane e drama si dhe përktheu një numër të madh veprash nga letërsia e huaj.

Në vitet 1990 ai hapi shkollën e gazetarisë “Faik Konica”.

http://kallxo.com/vdiq-shkrimtari-ramiz-kelmendi/

Familjen e Kelmendit e ngushëlluan sot Kryeministri Mustafa dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

http://kallxo.com/mustafa-ngushellon-familjen-e-ramiz-kelmendit/

http://kallxo.com/agk-ja-ngushellon-familjen-dhe-miqte-e-ramiz-kelmendit/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri