Kosova i Quan Farsë Dënimet Serbe Ndaj UÇK-së

Kryeministri Mustafa tha të enjten se gjykatat në Serbi nuk kanë të drejtë të gjykojnë qytetarë të Kosovës dhe aq më pak të gjykojnë ish-luftëtarë të UÇK-së, të cilët ishin të përfshirë në atë që ai e quajti një luftë çlirimtare dhe respektuan ligjet dhe zakonet e luftës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të informojë partnerët e saj ndërkombëtarë në lidhje me këtë tendencë dhe do t’i kërkojë atyre t’i bëjnë presion Serbisë për t’i dhënë fund farsave të tilla gjyqësore, si edhe përndjekjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës në bazë të akuzave të pabaza, të cilat janë krejtësisht jashtë standardeve ndërkombëtare gjyqësore,” tha Mustafa gjatë një takimi të qeverisë.

Ai shtoi se vendimi i së mërkurës për dënimin e tetë ish-luftëtarëve të UÇK-së, i cili u dha nga gjykatë në qytetin serb të Nishit, nuk do të ketë asnjë impakt ligjor sepse gjykatat serbe nuk kanë juridiksion mbi qytetarët e Kosovës.

“Kosova është një vend i pavarur. Për Serbinë, qytetarët e Republikës së Kosovës janë shtetas të huaj,” tha Mustafa.

Gjykata e lartë në qytetin jugor të Nishit të mërkurën shpalli fajtorë tetë ish-luftëtarët e UÇK-së për akte terrorizmi dhe vrasje të trupave të Ushtrisë Jugosllave në Koshare në shtator 1998.

http://kallxo.com/eproret-e-uck-se-denohen-nga-gjykata-e-beogradit/

Ish-ushtarët e UÇK-së – Shiqeri Maloku, Xhafer Gashi, Demush Gacaferi, Demë Maloku, Agron Isufi, Anton Quni, Rabit Alija dhe Rrustem Berisha – u dënuan në mungesë secili me nga 15 vjet burg.

Vendimi i gjykatës u bazua në disa video ku shfaqeshin prita e UÇK-së dhe të shtënat ndaj ushtarëve të Ushtrisë Jugosllave, gjashtë prej të cilëve vdiqën.

Aktakuza pretendoi se në fillim ushtarët e UÇK-së përgatitën një pritë për trupat kufitare të Ushtrisë Jugosllave duke vendosur mina anti-tank.

Akuzat pretendojnë se një tank i Ushtrisë Jugosllave shpërtheu minën, duke vrarë një ushtar dhe duke plagosur katër të tjerë. Pastaj luftëtarët e UÇK-së hapën zjarr ndaj një helikopteri të ushtrisë që mbërriti aty për të marrë viktimat.

Prokuroria pretendoi se kjo u pasua nga një sulm i dytë menjëherë pas kësaj, në afërsi të pikës kufitare të Koshares, kur të akuzuarit ngritën një tjetër pritë dhe hapën zjarr ndaj një automjeti të Ushtrisë Jugosllave, duke hedhur granata dore, duke vrarë pesë ushtarë dhe duke plagosur dy të tjerë.

Sipas aktakuzës, luftëtarët e UÇK-së – të cilët dyshohet se kanë sulmuar nga territori shqiptar – më pas i grabitën ushtarët dhe vunë nën shënjestër një tjetër helikopter që erdhi të evakuonte të plagosurit.