Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Konjufca: Ilaz Kodra është ndër figurat më emblematike të UÇK-së

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka vlerësuar heroin Ilaz Kodra si një ndër figurat më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në seancën solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorëve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë, Konjufca tha se Ilaz Kodra, Adem dhe Hamëz Jashari e Zahir Pajaziti ishin të parët që panë lirinë e Kosovës, prandaj edhe sakrifikuan çdo gjë që këtë liri ta gëzojë i gjithë populli.

“Heroi Ilaz Kodra është ndër figurat më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila i përket bërthamës themeluese të kësaj ushtrie të lavdishme, në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari. I rritur e formësuar në frymën kombëtare e patriotike që në rininë e tij, Ilaz Kodra nuk kishte asnjë iluzion se Kosova mund të çlirohej nga Serbia pa luftë të armatosur, prandaj pikërisht për këtë arsye u bashkua me Adem Jasharin, Hamëz Jasharin, Zahir Pajazitin e të tjerë. Ky grup patriotësh e panë të parët lirinë e Kosovës, prandaj sakrifikuan çdo gjë që këtë liri ta shoh e ta gëzoj i gjithë populli”- u shpreh Konjufca.

Kryeparlamentari ka thënë se kontributi i komandantit Kodra për organizimin dhe strukturimin e UÇK-së është i hershëm sikurse pjesëmarrja e tij në luftë e nëpër shumë aksione të pandalshme deri kur ra në altarin e lirisë më 30.04.1999 në mbrojtje të popullatës civile.

“Kontributi i komandantit Ilaz Kodra për organizimin dhe strukturimin e Ushtrisë Çlirimtare është i hershëm sikurse pjesëmarrja e tij në luftë e nëpër shumë aksione të pandalshme deri kur ra në altarin e lirisë më 30.04.1999 në mbrojtje të popullatës civile e cila po sulmohej në të gjitha anët në fshatrat e Drenicës” – ka theksuar ai.

Konjufca gjithashtu ka përmendur edhe masakrën e Studimes, e cila sot shënon 25 vjetorin e saj.

“Duke qenë se këtë seancë po e mbajmë me 2 maj, pikërisht këtë ditë Serbia kreu një nga masakrat më të mëdha në Kosovë, masakrën e Studimes ku me gjakftohtësi i vrau dhe masakroi 116 shqiptarë. Masakra e Studimes është një nga masakrat më të llahtarshme të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, regjim nga i cili Serbia nuk po distancohet as sot e kësaj dite” – është shprehur ai.

Më 30.04.2024 janë bërë 25 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili kishte qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës në betejat e zhvilluara në Drenicë dhe rrethinë.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorëve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë.

Kjo seancë ka filluar me himnit shtetëror të Kosovës dhe pastaj himnin kombëtar shqiptar të interpretuar nga pjesëtar të Filarmonisë së Kosovës.

Në nderim për të gjithë të rënët e luftës së fundit në Kosovë, Kuvendi ka mbajtur një minutë heshtje.