Memorial për shqiptarët e Kosovës të vrarë në sulmin në fshatin Qyshk në vitin 1999. Foto: BIRN.
Serbia i dënon me 56 vjet burgim ish-ushtarët serbë për masakrat në fshatrat e Pejës
Një gjykatë serbe dënoi shtatë ish-ushtarë të Ushtrisë Jugosllave me gjithsej 56 vjet burg për kryerjen e krimeve të luftës gjatë sulmeve në fshatrat e Kosovës në vitin 1999 që lanë të vdekur 118 shqiptarë etnikë.
Gjykata e Lartë e Beogradit shpalli të mërkurën shtatë ish-anëtarë të Njësisë 177 të Ushtrisë Jugosllave fajtorë për krime lufte për përfshirjen e tyre në sulmet vdekjeprurëse në katër fshatra në zonën e Pejës në prill dhe maj 1999 gjatë luftës në Kosovë.
Komandanti i Njësisë 177 të Ushtrisë Jugosllave, Toplica Miladinoviç, u dënua me 20 vjet burg për urdhërimin e vetëdijshëm të vartësve të tij për të kryer krime lufte dhe shkelje të tjera të Konventave të Gjenevës në fshatrat Lubeniq, Qyshk, Pavlan, Zahaq në prill dhe maj 1999.
Gjashtë anëtarë të njësisë u dënuan gjithashtu me burg. Predrag Vukoviç u dënua me 13 vjet burg, Abdulah Sokiç me 12 vjet burg, Sinisa Misiç me pesë vjet burg dhe Slavisa Kastratoviç, Boban Bogiceviç dhe Lazar Pavloviç me nga dy vjet burg.
Dy të pandehurit e tjerë, Veljko Koricanin dhe Milan Ivanoviç, u shpallën të pafajshëm.
Sipas aktakuzës, Njësia 177 e Ushtrisë Jugosllave sulmoi fshatin Lubeniq më 1 prill 1999 dhe fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq më 14 maj 1999.
Gjatë sulmit, të pandehurit dhe anëtarët e tjerë të njësisë supozohet se dogjën shtëpi, vranë civilë shqiptarë të Kosovës dhe i detyruan të tjerët të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Të paktën 118 shqiptarë etnikë u vranë, sipas aktakuzës.
Të pandehurit fillimisht u dënuan në vitin 2014 me gjithsej 106 vjet burg, por gjykata e apelit e ndryshoi vendimin në vitin 2015 dhe e dërgoi çështjen për rigjykim.
Kryetari i trupit gjykues Vladimir Duruz tha se rigjykimi u përpoq të adresonte të gjitha vërejtjet e bëra nga gjykata e apelit.
“Më e rëndësishmja ishte të sigurohej që dëshmitarët të vinin fizikisht për të dëshmuar në Beograd, gjë që nuk ishte gjithmonë e mundur”, tha Duruz.
Shumica e dëshmitarëve ishin shqiptarë të Kosovës dhe disa nga dëshmitë e tyre të mëparshme u lexuan gjatë seancave të rigjykimit sepse nuk u paraqitën në gjykatën e Beogradit.
Vendimi i rigjykimit të së mërkurës erdhi pas një procesi ligjor maratonë që filloi kur ish-ushtarët dolën për herë të parë në gjyq në 2010.
Rigjykimi më pas zgjati për gati nëntë vjet dhe u shoqërua nga vonesa dhe shtyrje të përsëritura të seancave. Pothuajse gjysma e 62 seancave u shtynë.
Vendimi i së mërkurës mund të apelohet brenda 30 ditëve.
Gjatë kohës së luftës, Njësia 177 e Ushtrisë Jugosllave ishte nën komandën e Brigadës 125 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave. Komandanti i saj Dragan Zivanoviç u hetua për sulmet në katër fshatrat e Kosovës, por hetimi u pushua.
Dokumentari me metrazh të gjatë i BIRN “Të Paidentifikuarit”, i publikuar në vitin 2015, hetoi komandantët që urdhëruan sulmet në katër fshatrat dhe zhvendosjen e trupave të viktimave në varrezat masive pranë Beogradit në Serbi në një tentativë për të mbuluar krimin.