
Takimi i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime. Foto: Besnik Bislimi (Fcb)
Plani i Rritjes i BE-së, Bislimi: Kosova mund të përfitojë deri në 945 milionë euro
Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Kosova mund të përfitojë deri në 945 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së.
Nëpërmjet një statusi në Facebook, ai ka bërë të ditur se për mundësitë dhe përfitimet që i ofron ky plan, sot (07.05.2024), është diskutuar me akterë ekonomikë dhe biznesorë në Këshillin Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.
“Përmes kësaj iniciative, planifikohet që 6 miliardë euro të ndahen nga BE-ja për ekonomitë e shteteve të Ballkanit Perëndimor, nga të cilat Kosova mund të përfitojë deri në 945 milionë euro përmes realizimit të agjendës së reformave”, ka shkruar Bislimi.
Realizimi i kësaj agjende të reformave, sipas tij, do të ndikojë në tërësi pozitivisht mbi avancimin e Republikës së Kosovës në rrugëtimin evropian, si dhe do të “sjellë rezultate të prekshme në shumë fusha kyçe, e ku ndër to përfshihet dhe përmirësimi i mjedisit biznesor”.
Ndryshe nga katër shtetet e tjera të rajonit, Kosovës dhe Serbisë u janë vënë parakushte shtesë në mënyrë që të përfitojnë nga 6 miliardë eurot e Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor – në kuadër të Pakos së Rritjes për të cilën Këshilli Europian dha dritën e gjelbër në mëngjesin e 7 majit 2024.
Kushti për të dy shtetet është i qartë: Prishtina zyrtare dhe Beogradi zyrtar duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Konkretisht kërkohet normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve me synim të zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si dhe i të gjitha marrëveshjeve të dialogut të kaluar.
Gjithashtu të dy shtetet, duhet të angazhohen në negociatat për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes vete.
Kosova dhe Serbia kushtëzohen me “rezultate të prekshme” për të përfituar nga 6 miliardët e BE-së