Blerta Deliu-Kodra n senc

Deliu Kodra: Ilaz Kodrës dhe të gjithë heronjve e dëshmorëve u detyrohemi një shtet që mishëron idealet e tyre

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra tha se komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra është sinonim i guximit dhe shpirtit liridashës të popullit të Kosovës.

Deliu -Kodra në seacën solemne që u mbajt më 02.05.2024, tha se komandanti Kodra është figurë monumentale që ju përgjigj thirrjeve të para për liri krah për krah me legjendarin Adem Jashari.

“Ilaz Kodra është sinonim i guximit  dhe shpirtit liridashës të popullit tonë. Ai është figurë monumentale që ju përgjigj thirrjeve të para për liri krah për krah me legjendarin Adem Jashari. Arsyeja është një dhe e vetme, liria. Lufta për liri është stadi më i lartë i vetëdijes, është parakusht për të jetuar plotësisht, pa frikë dhe me ëndrra plotë, Ilazi e dinte këtë. ‘Nuk ka më të vlefshme se jeta dhe nuk ka më të çmueshme se liria prandaj do të jap edhe jetën’, thoshte ai”- tha deputetja Deliu Kodra.

Deputetja e PDK-së teksa ka lexuar një letër të Krenare Kodrës, vajzës së Ilaz Kodrës, ka thënë se ai mesazh është e vërteta e Kosovës dhe e luftës çlirimtare, teksa theksoi se heronjve dhe dëshmorëve e martirëve “u detyrohemi një shtet që mishëron idealet e tyre”.

“Kjo letër e ky mesazh është e vërteta e Kosovës, e luftës sonë çlirimtare, e heronjve të luftës. Kjo është e vërteta e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, e Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve që padrejtësisht po mbahen në Hagë. Si shoqëri e si politikanë, është përgjegjësi e jona të ndërtojmë shtetin për të cilin u derdh kaq shumë gjak. Ilaz Kodrës të gjithë heronjve dëshmorëve e martirëve u detyrohemi një shtet që mishëron idealet e tyre, një shtet të drejtë të zhvilluar e të sigurt që respekton dinjitetin e secilit”- ka theksuar Deliu-Kodra.

“Gjithmonë të vendosim shtetin para pushtetit, vetëm kështu afrohemi një hap drejt idealit të dëshmorëve tanë, vetëm kështu nderojmë vetën shtetin dhe fëmijët tanë”- shtoi ajo.

Më 30.04.2024 janë bërë 25 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili kishte qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës në betejat e zhvilluara në Drenicë dhe rrethinë.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorëve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë.

Kjo seancë filloi me himnin shtetëror të Kosovës dhe himnit kombëtar shqiptar të interpretuar nga pjesëtar të Filarmonisë së Kosovës.

Në nderim për të gjithë të rënët e luftës së fundit në Kosovë, Kuvendi ka mbajtur një minutë heshtje.