Foto: Zyra e Presidentit

Familja e Komandant 'Drinit' Pranon Dekoratën e Thaçit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ia ka ndarë sot dekoratën presidenciale jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë edhe familjes së komandantit të UÇK-së, Ekrem Rexhës-Drinit.

Dekoratën e kanë pranuar bashkëshortja e komandant Drinit si dhe djemtë e tij Drini dhe Ekremi.

”Familjes së Ekrem Rexhës, bashkëshortes Hajrijes dhe djemve të dashur Ekremit dhe Drinit, ua dorëzova Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë dhe urdhrin “Hero i Kosovës. Si bashkëluftëtar, komandant i Zonës Operative të Pashtrikut dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, komandant “Drini” ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Për dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi ka ndarë mirënjohje për shumë personalitete të ndryshme të vendit, e që disa prej tyre edhe i kanë refuzuar.