Dëshmi nga Aeroporti në Tenderin e KEK-ut

Dëshmitar i sotëm në gjykimin për tenderin 6 milionësh të sigurimit të objekteve të KEK-ut është Bahri Nuredini, ushtrues detyre i nivelit ekzekutues në Departamentin e Navigacionit të Aeroportit të Prishtinës.

Nuredini është ftuar të dëshmojë në lidhje me një punonjës të aeroportit që nisi punën në kompaninë “Security Code”, e cila fitoi tenderin për sigurimin e objekteve të KEK-ut në vitin 2012.

Bahri Nuredini tha në gjykatë se punëtorit të aeroportit Lumjan Tolaj i ishte refuzuar kërkesa për dorëheqje nga vendi i tij i punës.

“Ne Lumjanit ia kemi refuzuar kërkesën për dorëheqje, pasi çdo dorëheqje dhe pushim duhet të bëhet në bazë të procedurave dhe politikave të stafit. Rrethanat në bazë të të cilave është refuzuar kërkesa e Lumjanit kanë qenë administrative dhe asgjë tjetër,” tha dëshmitari Nuredini.

Nuredini mohoi se e ka ditur arsyen pse Lumjan Tolaj ofroi dorëheqjen nga puna në aeroport.

“Mua Lumjani nuk më ka treguar arsyen e kërkesës për dorëheqje dhe nuk më kujtohet që më ka thënë se i është ofruar punë në KEK,” tha Nuredini.

Më tutje dëshmitari tregoi se Lumjan Tolajt i ishte aprovuar pushimi pa pagesë.

“E di që Lumjanit i është aprovuar pushimi pa pagesë, e sa i përket asaj se a ka punuar ai diku tjetër gjatë kohës sa ka qenë në pushim pa pagesë, nuk e di,” tha dëshmitari.

Lumjan Tolaj dëshmoi më 22 prill në procesin gjyqësor ku po akuzohen shtatë persona mes tyre edhe drejtori i KEK-ut Arben Gjukaj, kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku dhe ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha.

Tolaj para katër ditësh tha se kishte presion nga policia për ta nënshkruar deklaratën që e kishte dhënë kur ishte marrë në pyetje në vitin 2012, ndërsa u ankua se atë ditë nuk ndihej mirë.

http://kallxo.com/deshmitari-kisha-presion-nga-policia/

Zyrtari i aeroportit tha se e dinte që ekzistonte kompania e sigurimit fizik “Security Code”, por nuk e dinte kush ishin drejtorët e saj, ndërsa nuk i interesonte tenderi i KEK-ut.

“Mua s’më ka interesuar çfarë është projekti i KEK-ut, e sa i përket ‘Security Code’ e njoh, por nuk e di kush janë drejtorët e saj,” tha dëshmitari.

Bahri Nuredini megjithatë e pranoi se e njeh të akuzuarin Esat Tahiri, drejtorin e “Security Code”.

“Esat Tahirin e njoh si bashkëluftëtar prej vitit 1998, e sa i përket komunikimeve me të në lidhje me projektin e KEK-ut, kjo nuk më kujtohet,” tha dëshmitari.

Pasdite në gjykimin për tenderin e KEK-ut dëshmoi Arben Qerkini, menaxher i zonës në kompaninë “Security Code”.

Ai tha në gjykatë se punën në këtë kompani të sigurimit fizik e nisi në vitin 2012.

“Punën në ‘Security Code’ e kam filluar në vitin 2012 dhe deri në këtë kohë kam punuar në Aeroportin e Prishtinës. Hilmi Lushtaku më ka se ‘Security Code’ është duke pranuar punëtorë, kam konkurru dhe jam pranu,” tha dëshmitari Qerkini.

Ai bëri të ditur se nëse nuk gabon, punën në “Security Code” e ka nisur më 7 nëntor të vitit 2012.

“Unë e kam kuptuar se jam pranu në ‘Security Code kur këta e kanë fituar tenderin dhe jam takuar me Esat Tahirin dhe na ka treguar për kushtet e punës,” tha Arben Qerkini.

Dëshmitari Qerkini tregoi se pajtohej me tekstin e  dokumentit për gatishmërinë e punës në KEK, por nuk ishte i sigurt nëse nënshkrimi është i tij në këtë dokument.

Qerkini tha se nuk mbante mend nëse i kishte thënë dikujt që të nënshkruante në emër të tij. Ai tha se në momenti i dhënies së dokumenteve nënkupton edhe dhënien e pëlqimit që të veprohet në emër timin.

Në këtë rast gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish- drejtori i prokurimit, Driton Pruthi; drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj; ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.

Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.