Avokati Artan Qerkini dhe Sami Lushtaku - Foto: Kallxo.com

Avokati: Sami Lushtakut iu konfiskua telefoni

Avokati Artan Qerkini ka treguar se çfarë ka ndodhur me klientin e tij, Sami Lushtaku, i cili, siç ka thënë Mërgim Lushtaku, është intervistuar nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Sipas avokatit Qerkini, Lushtakut i është konfiskuar telefoni mobil.

“Zotit Lushtaku vetëm i është konfiskuar telefoni mobil, njëjtë si herave të kaluara. Mendojmë se ky veprim bie ndesh me ligjin sepse edhe zoti Lushtaku nuk e ka statusin e personit të dyshuar, dhe përkundër këtij fakti atij pra i është cenuar privatësia sepse i është marrë telefoni mobil” – tha më 08.03.2024 avokati Qerkini pasi ai dhe klienti i tij dolën nga baza e EULEX-it, ku është kryer intervista.

Avokati Qerkini paralajmëroi se do të paraqesin të gjitha mjetet juridike në kohën dhe pranë organeve kompetente të Dhomave të Specializuara lidhur me konfiskimin e telefonit të Sami Lushtakut.