Avokati Artan Qerkini dhe Sami Lushtaku - Foto: Kallxo.com
PDK: Bastisjet e ndalimet e Dhomave të Specializuara janë përndjekje, të ndalohet kjo fushatë
Koordinatori për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda gjatë konferecnës e cila u mbajt më 09.03.2024 tha se Dhomat e Specializuara duhet të ndalin fushatën përndjekëse ndaj ish zyrtarëve të shtetit.
Ky reagim erdhi pasi mbrëmë më 08.03.2024, Sami Lushtakut i ishte konfiskuar telefoni nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Gruda shprehu shqetësimin e Partisë Demokratike të Kosovës ndaj fushatës së re të ndalimeve e bastisjeve që po zhvillojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj ish-zyrtarëve të shtetit siç ishte rasti dy ditët e fundit me Hajredin Kuçin, Sami Lushtakun dhe Sylejman Selimin.
“Kosova ka themeluar Dhomat e Specializuara për të ofruar drejtësi me standarde evropiane dhe jo spektakël në emër të saj. Mbi të gjitha, kjo fushatë përndjekëse shpërfaqë dështimin e Dhomave të Specializuara për të argumentuar aktakuzat e tyre në proceset gjyqësore. PDK kërkon nga Dhomat e Specializuara të Kosovës që të ndalin këtë fushatë përndjekëse dhe t’i kthehen punës së tyre brenda mandatit dhe fushëveprimit të tyre”, tha Gruda.
Mbrëmë avokati Artan Qerkini ka treguar se çfarë ka ndodhur me klientin e tij, Sami Lushtaku, i cili, siç ka thënë Mërgim Lushtaku, është intervistuar nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Sipas avokatit Qerkini, Lushtakut i është konfiskuar telefoni mobil.
“Zotit Lushtaku vetëm i është konfiskuar telefoni mobil, njëjtë si herave të kaluara. Mendojmë se ky veprim bie ndesh me ligjin sepse edhe zoti Lushtaku nuk e ka statusin e personit të dyshuar, dhe përkundër këtij fakti atij pra i është cenuar privatësia sepse i është marrë telefoni mobil” – tha më 08.03.2024 avokati Qerkini pasi ai dhe klienti i tij dolën nga baza e EULEX-it, ku është kryer intervista.