Ilustrim: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Kompania e nipit të Sami Lushtakut fiton tenderin mbi 400 mijë euro në Komunën e Skenderajt

Komuna e Skenderajt ka shpërblyer me kontratë në vlerë mbi 400 mijë euro kompaninë e sigurimit fizik në të cilën bashkëpronar është familjari i nënkryetarit të kësaj komune, Sami Lushtaku.

“Security Code” është kompania e cila ka fituar tenderin për të ruajtur shtatë institucione të Komunës së Skenderajt. 

Sipas të dhënave në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), kompania “Security Code” Sh.p.k është në pronësi të Esat Tahirit dhe Milazim Lushtakut. Secili me nga 50 përqind të aksioneve.

Milazim Lushtaku është djali i vëllait të ish-kryetarit dhe tash numrit dy të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku. 

Kontrata mes kësaj kompanie dhe komunës së udhëhequr nga Fadil Nura është nënshkruar më 15 janar 2024. Vlera e përgjithshme e kontratës është 403,894 euro. 

Sipas njoftimit të kontratës, vlera e parashikuar e tenderit ka qenë 405 mijë euro. 

Në garë për këtë kontratë kanë qenë edhe dy kompani të tjera. Por, “Security Code” ka ofertuar me çmimin më të lirë në krahasim me kompanitë tjera garuese. 

Sipas dosjes së tenderit, kompania do të kryejë sigurimin fizik në Objektin e Komunës, Shtëpinë e Kulturës, objektit për Punë Sociale, objektin të ish-TMK-së, objektin e QMKF-së, Parkingun Publik dhe Kuvendin Komunal të Skenderajt gjatë orarit zyrtar.

Komuna e Skenderajt në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se asnjë ndërhyrje nuk ka pasur në këtë proces nga askush dhe procedura është zhvilluar mbi bazë të plotë ligjore.

Zëdhënësi i Komunës, Amir Lushtaku, thotë se kjo është hera e katërt e tenderimit pasi herave të tjera ka dështuar për shkak të mungesës së ofertave dhe çështjeve të cilat bien ndesh me ligjin e prokurimit. 

“Pas skadimit të kontatës së kaluar më kompaninë “Skifterat Live”, Komuna e Skenderajt ka publikuar njoftimin për kontratë për sigurimin fizik të objekteve komunale. Herën e parë kur ishte shpallur njoftimi për kontratë, nuk kishe ofertuar asnjë kompani dhe në këtë rast Autoriteti Kontraktues e ka anuluar procedurën në mungesë të ofertave. Pastaj, procedura është ritenderuar në bazë të ligjit të prokurimit edhe dy herë të tjera por për shkak të mungesës së ofertave dhe çështjeve të cilat bien ndesh me ligjin e prokurimit procedura është anuluar” – ka thënë Lushtaku.

Ai ka shtuar se kompania “Security Code” ka ofertuar suksesshëm dhe se nuk ka pasur asnjë ankesë për këtë njoftim.

“Herën e katërt komisioni përzgjedhës ka konstatuar se kompania Security Code ka ofertuar suksesshëm, dhe kjo ofertë është në përputhje të plotë me dosjen e tenderit dhe konform ligjit, është bërë njoftimi për lidhje të kontratës dhe pasi nuk ka pasur asnjë ankesë për këtë njoftim, e njëjta është nënshkruar. Asnjë ndërhyrje nuk ka pasur në këtë proces nga askush dhe procedura është zhvilluar mbi bazë të plotë ligjore” – ka deklaruar Amir Lushtaku, zëdhënës i Komunës së Skenderajt.

Në anën tjetër, nga Kompania “Security Code” ka sqaruar gjithë procedurën e prokurimit për tenderin e sigurimit fizik të shpallur nga Komuna e Skenderajt që nga korriku i vitit 2023.

“Security Code” ka deklaruar se kanë aplikuar edhe në herën e tretë të tenderimit për këtë kontratë por pasi ishin të vetmit në garë, u anulua njoftimi.

Sipas tyre, që 16 vjet që kur janë themeluar si kompani, kanë marrë pjesë disa herë në tendere të Komunës së Skenderajt dhe jo vetëm, për këtë lloj shërbimi.

Në përgjigjjen e tyre theksojnë se kontrata e fituar është me “plotë meritë dhe pa asnjë ndikim”.

“Ne konsiderojmë se me plotë meritë e kemi fituar këtë aktivitet të prokurimit dhe nuk ka pasur asnjë ndikim nga faktorët tjerë dhe gjithashtu si njoftim, kompania jonë është themeluar nga viti 2008 (16vite) dhe gjatë këtyre viteve kemi marrë pjesë disa herë në Komunën e Skenderajt për këtë lloj shërbimi të sigurimit fizik, por edhe në të gjitha institucionet shtetërore dhe private pa përjashtim”- thuhet në përgjigjen e kompanisë “Security Code”.

Historiku i tenderit 

Tenderi me titullin “Sigurimi Fizik i objekteve të Komunës së Skenderajt – Ritender” është shpallur përmes procedurës së hapur më 1 nëntor 2023. 

Por, për këtë shërbim Komuna e Skenderajt kishte shpallur tender edhe tri herë të tjera.

Komuna e Skenderajt kishte publikuar njoftimin për kontratë më 26.07.2023, por aktiviteti ishte anuluar më 28.08.2023 për arsye se asnjë operator ekonomik nuk kishte shprehur interesim të ofertojë. Vlera e parashikuar e kontratës asokohe ishte 390.000.00 euro.

Më pas, dy ditë më pas, 30.08.2023, Komuna e Skenderajt ripublikon kontratë për njoftimin për kontratë sërish për sigurim fizik. Por dy muaj më pas, u anulua tenderi me arsyetimin se vetëm “Security Code” kishte konkuruar për këtë kontratë. Ligji nuk e lejon që në një aktivitet të prokurimit të ketë vetëm një operator ekonomik të marrë pjesë.

Tutje, më 12.10.2023, Komuna e udhëhequr nga Fadil Nura shpalli edhe një herë njoftimin për kontratë por dështoi. Me datën 20.10.2023 u publikua njoftimi mbi anulimin me arsyetimin se “ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është i nevojshëm për shkak të ngjarjeve dhe/apo arsyeve objektive dhe të demonstrueshme të cilat janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe të cilat kanë qenë të paparashikueshme në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit”.

Për herën e katërt, Komuna e Skenderajt shpalli më 1 nëntor 2023 njoftimin për kontratë, i cili rezultoi sukseshëm.

Kontrata mes Komunës së Skenderajt dhe “Security Code” është nënshkruar më 15 janar 2024. 

Kjo kontratë publike kornizë ka kohëzgjatje prej 24 muajsh dhe është efektive prej datës në të cilën ajo hyn në fuqi. Kriter për dhënien e kontratës ka qenë çmimi më i ulët.

Në dosje theksohet se paga minimale bruto bazë për roje fizike të angazhuar në ketë kontratë duhet të jetë jo më pak se 350 euro në muaj kurse për projektmenaxherin 450 euro bruto dhe për mbikëqyrësin e rojeve 380 euro bruto. Ky çmim është për ndërrimin e parë (orët e ditës).

Gjithashtu, thuhet se kontraktori është i obliguar që të respektojë Ligjin e punës, Udhëzimin Administrativ të MPMS Nr. 09/2013 dhe të paguajë shtesë mbi pagën Bruto bazë për ndërrimin e dytë dhe të tretë, festa, shujtë dhe sigurim shëndetësor.

Sipas dosjes, kompania duhet të paraqes analizë financiare me shkrim se si ka ardhur deri te çmimi përfundimtar dhe kjo analizë duhet të përfshijë së paku:

–   Pagat Bruto për punëtorë me të gjitha kontributet dhe tatimet,

–   Vlerën për uniforma verore dhe dimërore sipas specifikacionit në dosje të tenderit,

–   Pushimet vjetore, ndërrimet e natës,  festat shtetërore,

–   Shujta (me përmbajtje referente sipas Marrëveshjes Kolektive jo më pak se 2 €),

–   Sigurimi shëndetësor për roje me mbulim dhe përfitime minimale të obligueshme

– Çmimi i furnizimit të këtyre artikujve/kostove duhet të llogaritet dhe inkorporohet në çmimin e orëve në tabelën e specifikimit të çmimit.

“Polemikat në distancë” mes kryeministrit dhe Sami Lushtakut për “Security Code”

“Security Code” është kompania e cila ka kontratë me ShSKUK-në për sigurimin e klinikave. Për dy incidente që kanë ndodhur brenda hapësirave të ShSKUK-së, kryeministri Albin Kurti kishte fajësuar edhe këtë kompani duke e akuzuar për “dështim në kryerjen e punës së tyre” më 10 tetor 2022.

Më pas, nënkryetari Sami Lushtaku në një përgjigje për median online “Nacionale” i ka cilësuar “të motivuara politikisht” komentet e kryeministrit Albin Kurti ndaj kompanisë “Security Code”.

“Edhe Serbia qishtu na ka ndjek si Albin Kurti” – tha Lushtaku. “Ai është marrë me këtë kompani për shkakun tim, normal” – ka thënë Lushtaku për Nacionale.

Ndërkaq, kompania “Security Code” në reagimin e tyre kishin deklaruar se Kurti po kërkon hakmarrje politike në adresë të gabuar dhe se do të mbrojë imazhin përmes rrugëve ligjore.